Ligji nuk e ndalon. Ekspertët: Nuk është i dëmshëm

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit në lidhje me bllokimin dhe më pas lejimin e një sasie prej 4.600 litrash pleh kimik, Silicon Mix Fertilizer, ka vënë në lëvizje disa institucione dhe ka ngritur shqetësime për efektet e tij. Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se ky produkt nuk duhej futur në Shqipëri, pasi sipas inspektorëve të tij, është në listën e plehrave të ndaluar.

Në raport nuk është përfshirë ndonjë listë e tillë, por a është vërtet i ndaluar Silicon Mix Fertilizer, që u bllokua dhe u zhbllokua pas 8 muajsh nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit?

Sasia prej 4.600 litrash mban emërtimin “EC Fertilizer”. Sipas ligjit shqiptar për plehrat në bujqësi, për produktet e kësaj kategorie nuk ka asnjë kufizim.

“Plehrat vendosen në treg vetëm nëse jane plehra me emërtimin “EC Fertilizers”, të cilat lejohen të qarkullojnë lirshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë”.

Ekspertë të bujqësisë dhe sigurisë ushqimore thonë se ligji është i qartë.  Agronomi Pandeli Pasko thotë se Silicon Mix Fertilizer nuk ka asnjë rrezik. Ai mbron bimën dhe përdoret në mjaft vende të botës, përfshirë Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izrael dhe Angli.

“Është i lejueshëm dhe përdoret në shumë vende të BE. Nuk ka efekte anësore nëse përdoret si duhet”.

A duhej të bllokohej ky produkt?

“Ky është një pleh kimik që nuk duhej të bllokohej dhe nëse duhej, do të duheshin kryer analizat për të treguar çfarë duhet të përbante”.

“Duhet të hyjë sepse është pleh. Nuk ka kufizim për plehrat kimikë. Është fertilizator që mbron bimën”, shprehet Alban Zusi nga Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë.

“Nëse ka hyrë si fertilizator, është i lejueshëm. Nëse ka hyrë si insekticid, jo”, thotë Sokol Stafa, ekspert i certifikimit të produkteve bujqësore.

Dokumentet doganore të siguruara nga Televizioni Klan për këtë produkt, tregojnë se ai ka emërtimin “EC Fertilizer”, çka do të thotë se bëhet fjalë për një pleh që përdoret gjerësisht në bujqësi dhe nuk është insekticid, që të përshihet në listën e solucioneve të ndaluara.

Ligji dhe sqarimet e ekspertëve hedhin kështu dritë mbi një furtunë të krijuar nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, inspektorët e të cilit së paku duhet të kishin lexuar legjislacionin përpara hartimit të raportit, për të parë qartë se Silicon Mix Fertilizers nuk është në listën e plehrave të ndaluara.

Ajo çfarë mbetet e paqartë është se përse Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e ka bllokuar këtë ngarkesë për 8 muaj me radhë, pa vërtetuar asnjëherë që ai është i ndaluar apo i rrezikshëm, derisa është detyruar të zbatojë ligjin duke e zhbllokuar. 

I paqartë është edhe fakti se përse drejtorja e Kabinetit të Kryeprokurores së Përkohshme, Alketa Zifla, në një letër drejtuar Prokurorisë së Tiranës për të verifikuar një shkresë të ish – ministrit Peleshi, e klasifikon këtë pleh me emrin insekticid, duke e orientuar në këtë mënyrë hetimin sikur të bëhej fjalë për një solucion bujqësor që nuk lejohet të futet në Shqipëri, në një kohë kur ligji thotë tërësisht të kundërtën dhe kur në asnjë shkresë doganore apo në vetë raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk thuhet asgjëkundi se Silicion Mix është insekticid.

Tv Klan