Nga Blendi Fevziu

Më 4 mars 1929, 89 vjet më parë, një burrë i veshur shik, me pamje krejt perëndimore dhe me ecje që binte në sy në një qytet ende oriental si Tirana mbërriti në Gjykatën e Shkallës së Parë në Kryeqytet. Burri ishte librari më i njohur në Shqipëri, Mithat Frashëri, djali i Abdyl Frashërit, nipi i Naim dhe Sami Frashërit, firmëtar i Aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, anëtar i Qeverisë së parë të Ismail Qemalit dhe ish Ambasador i Shqipërisë në Athinë. Që prej dy vitesh drejtonte në Tiranë librarinë “Lumo Skëndo”, një vend kult i kulturës, dijes dhe albanologjisë. Njëherazi, vendi më frymëzues për rininë e qytetit të vogël që po shndrohej pak nga pak në Kryeqytet të Shqipërisë. Burri po bënte diçka jo të zakonshme për një 49 vjeçar. Po depozitonte testamentin e tij. Një testament në të cili parashikonte qëçdo gjë që kishte në këtë botë, ja linte Shqipërisë. Siç dëshmohet në paragrafin e parë:

Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka, para etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë

.”

Më tej vijonin një seri dhurimesh të tjera, përfshirë sendet personale të vëllezërve Frashëri, paratë kesh dhe çdo gjë tjetër dhe në fund kishte vetëm një amanet:

Nuk di se ku do të vendoset INSTITUTI; po, në qoftë se goditetë (ndërtohet) pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhenjë qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i INSTITUTIT, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij.

Zhvillimet historike dhe fati i keq, sollën që as testamenti të mos zbatohej dhe as amaneti të mos zinte vend. Mithat Frashëri ndërroi jetë në një Hotel në Nju Jork, më 1949, kur drejtonte Komitetin Shqipëria e Lirë, një qeveri në mërgim e njohur nga demokracitë perëndimore, që kontestonte regjimin komunist, diktatorial në Shqipëri. Ai u varros në Long Island, në varrezë komunale, ku çdo tetor grupimet antikomuniste zhvillonin homazhe dhe këndonin himnin e Flamurit. Të vetmen gjë që i bashkonte me kundërshtarët e tyre komunistë!

Shëmbulli i Mithat Frashërit është shembulli tipik i nëpërkëmbjes historike, shpjegimit të gabuar dhe padyshim përdorimit banal të historisë nga regjimi komunist. Pas pushtimit italian Mithat Frashëri së bashku me një grup intelektualësh të tjerë krijoi organizatën e Ballit Kombëtar dhe tentoi të bënte rrezistencë ndaj pushtuesve. Në fillimet e tyre, Balli dhe Komunistët dallonin në pak gjëra, por më thelbësorja ishte vizioni qëkishin për Shqipërinë e pas luftës. Dy organizimet që kërkonin një Shqipëri pa pushtues u përplasën ashpër edhe me tyre, duke i dhënë luftës karakteristikat tipike të një lufte civile. Komunistët fituan. Ata ndërtuan një shtet të ngjashëm me Bashkim Sovjetik dhe një nga diktaturat më të ashpëra në botë. Të krahasueshme vetëm me Korenë e e sotme të Veriut. Mithat Frashëri u largua nga Shqipëria. Ai bashkëpunoi me Britanikët dhe Amerikanët me idenë e rrëzimit të regjimit komunist, por dështoi. Ndërroi jetë papritur më 1949, duke pasur mbi shpinë nga historiografia komuniste, damkën si tradhëtar.

Nuk dua të zgjatem më shumë në analizën e baltës dhe përdhosjes ndaj tij. Njeriu që u bë botues i disa prej revistave dhe gazetave të rëndësishme shqip si “Dituria”; organizatori i Kongresit të Manastirit dhe Bashkëkryetar me Gjergj Fishtën i komisionit të alfabetit që vendosi alfabetin latin. Pra njeriu që ka kontribut për shkronjat me të cilat shkruajmë gjuhën sot. Firmëtari i Aktit të Pavarësisë; Ministri i Qeverisë së Parë të Ismail Qemalit; Ambasadori i Shqipërisë në Athinë dhe mbi të gjitha kontribusi i pashembullt i Bibliotekës Kombëtare, u njollos sepse në më pak se 2 vjet drejtoi një organizatë që kishte bindje të kundërta politike me komunizmin. Nuk dua të merrem me asnjë nga këto.Historia e ka zgjidhur tashmë maskaradën gjysmë shekullore. Dua të përsëris vetëm një thenië kaq të njohur: “E vërteta mbase vonon, por nuk humbet kurrë”.

89 vjet më pas, amaneti i tij po bëhet realitet. Mithat Frashëri po kthehet në Shqipëri. Në Nju Jork, shteti Amerikan i ka organizuar një përcjellje zyrtare. Arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar, mbërrin në 14 Nëntor në Tiranë, për t’u varrosur, pranë babait të tij, Abdyl Frashërit dhe xhaxhait, Naim Frashërit. Në krah të Faik Konicës. Në kodrat e Liqenit. Aty ku qëndrojnë njerëzit që kanë një kontribut real për kulturën e këtij vendi. Ai i fali Shqipërisë gjithçka kishte. Gjithçka materiale, pasi i kishte falur më parë, thuajse gjithë jetën e tij. Shqipëria i ktheu sot, borxhin që i kishte prej dekadash: 2 metra varr, për ta mbajtur në gjirin e saj!

Mirë se u riktheve në atdhe Mithat Frashëri!

Më poshtë, testamenti i plotë i Mithat Frashërit depozituar në Gjykatën e Tiranës më 4 Mars 1929!

“Tiranë 4 Mars 1929

Unë, Midhat Frashëri, në shëndet trupor të plotë, po bënj këtë testament, duke ushqyerë shpëresën se pas vdekjes’ s’ime do të ekzekutohet pikërisht vullneti që dëftenj këtu:

1) Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka, para etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.

2) Dua që nga biblioteka private ime të mos çkëputetë gjë; të gjitha librat të rrinë tok.

3) Gjithë sa më kanë mbeturë nga im atë dhe nga ungjërit, dhe që sot formojnë muzenë t’ime familiare, dëshëronj që të ruhenë prapë në formë të një muzeje të vogëlë, brënda në INSTITUT.

4) Në paça të holla, në shtëpi, më no një bankë ose hua për të mbledhurë, duke u bashkuarë me sumën që do mirret nga shitja e Librarisë, dua që të përdorenë të gjitha së bashku.

  1. A) për të bërë spenximet e parë e një godije (shtëpie) e cila të shërbejë si INSTITUT ALBANOLOGJIE, një godi e mjaftë për të nxënë bibliotekënë dhe për zyrratë. Dëshira ime është që kjo shtëpi të jetë mjaft’ e gjerë sa për të pasur një ose dy oda ku të mundin të bujtin dhe të rrinë musafirë studimtarët albanologë të huaj që vijnë së jashtmi.
  2. B) Në qoftë se, në vdekjet t’ime, kam mundurë të godit vetë no një shtëpi, INSTITUTI do të installohetë atje. Atëherë të hollat e produktuara, si them më siprë, dotë vihenë në një bankë të sigurtë dhe interesi i tyre, do të përdoretë për qëllimin e INSTITUTIT, sidomos për të shtypurë libra ose për të enkurajuarë botimin e tyre.

5) Librarija ime dëshëronj që të shitet ashtu si është, e tërë bashkë, jo copa copa, dhe, në qoftë e mundurë, të mbanjë emërin që i kam dhënë unë.

6) Libravet të INSTITUTIT t’u vihetë vula ime “Biblioteka Lumo Skëndo 1897” dhe t’u ngjitetë Ex-libris. Vula do të gjendetë në tryezën’ t’ime, në shtëpi, e gatijtë, kur se ex-libris është vetëm një skicë bërë prej Hyshref Frashërit.

7) INSTITUTI do të jetë nënë këqyrjen e një Komisioni, bërë prej:

  1. a) Drejtorit të Bibliotekës dhe Muzes’ së Shtetit në Tiranë, (Bibliotekë dhe Muze Kombëtare);
  2. b) Kryetarit të Bashkis’ së Tiranësë;
  3. c) Një funksionari të Ministris’ s’Arsimit
  4. d) Kryetarit të Diktimit Civil;
  5. e) Drejtorit të institutit arsimor shqipëtar më të lartë të Tiranësë.

8) Për të zbatuarë testamentin t’im dhe për të ngrehurit e INSTITUTIT lë si të ngarkkuarë prej meje këta Zotërinj: Niazi Tirana, Sotir Kolea, Dimitri Berati, Mehdi Frashëri dhe Edhem Fuad Frashëri. Zotit Niazi Tirana i ap barrënë që të kujdesetë edhe si një notabl i Kryeqytetitë.

9) Në qoftë se një prej këtyre zotërinjve gjendet absent, për një ose tjatrë shkak, në kohët të vdekjes’ s’ime, atëherë do të zërë vëndin e tij, ose të tyre, Athanas Shundi, farmacist në Tiranë dhe Hasan Toptani, biri i Kurad Toptanit; me të mos ndodhurë më tepër se dy, ata që gjendenë janë të ngarkuarë të zgjedhin aqë anëtarë sa mungojnë prej numurit që shënonj unë.

10) Ngarkonj prapë Baban e Teqes’ së Frashërit, Kryetarin e Bashkis’ së Frashërit dhe më plakun nga anëtarët e Bashkis’ së Frashërit, të kenë mirësinë dhe të kujdesenë për mbarimin’ e dëshirës’ s’ime që shtronj në këtë testament, do në fillesë të punësë, do edhe çdo mot duke kërkuarë që të botohen edhe çdo mot, duke kërkuarë që të botohetë veprimi dhe bilançoja e INSTITUTIT.

11) Ushqenj besimin e plotë se kjo dëshirë ime do të zbatohetë besnikërisht prej pasanikëvet të mij ndë gjithë shekujt që do të vijnë, dhe lutja ime drejtuarë fuqis’ së madhe që tani s’e kuptojmë dot, do të jetë të kenë gjithë Shqiptarët idealin e përparimit dhe të naltësimit të Kombit, që Shqiptarizma të bëhetë një dëhsirë dhe një konviktim i thellë, dhe që çdokush të kupëtojë se e mira e Kombit është dhe e mira jonë private, se nderi dhe lavdi i Shqipëtarëvet të gjithë, është edhe nderi dhe lavdi ynë personal.

12) Nuk di se ku do të vendoset INSTITUTI; po, në qoftë se goditetë pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhenjë qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i INSTITUTIT, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij.

Me këto dëshira dhe shpëresa po e nënëshkruaj me dorën t’ime këtë testament.

Midhat Frashëri

Lumë Skendo

Këtë testament e kam depozituarë ndë Notarijën’ e Gjyqit të Shkallëq’ së Parë të Tiranësë, me datë 4 Mars 1929 dhe me numurë 163.

Kopje të këtij testamenti u kam dorëzuarë Zotërinjvet:

Niazi Tirana, Sotir Kolea, Dimitri Berati, Edhem Fuad Frashëri si dhe Babajt të Teqesë së Frashërit.”