Bashkëshorti ka qenë për Valentina Kondajn forca më e madhe për t’u kujdesur për 2 djemtë me spektrin e autizmit. Emigrantë prej vitesh në Greqi ata punonin dhe sfiliteshin vetëm duke menduar shëndetin e 3 fëmijëve të tyre.
Të kujdes për 2 binjakë me spektrin e autizmit është një sfidë e vështirë, por për Valentina Kondajn më tepër ka qenë një mision. Në vitin 2005 jeta e saj mori një kthesë të befasishme, ishte pikërisht viti kur bashkëshorti i saj u nda nga jeta. E vetme me 3 djemtë në një shtet të huaj, ata u kthyen në heronj të njëri-tjerit.
“Qëllimi im i jetës janë ata”, thotë ajo në studion e “Shije Shtëpie” në Tv Klan, ku me publikun rrëfen historinë e saj prekëse.
Katerina Trungu: Ju jeni kthyer në Shqipëri në çfarë viti?
Valentina Kondaj: Unë jam kthyer në vitin 2012. Por, ndërkohë kisha pasur një problem tjetër familjar, sepse humba bashkëshortin në vitin 2005. Ngela e vetme me të 3 fëmijët, sepse kam edhe 1 djalë tjetër më të rritur. Ishte goxha e vështirë për mua, për ta përballuar gjithë këtë. Edhe fëmijët kanë dashur një kujdes më të veçantë. Ka qenë shumë e vështirë. Nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë të them të vërtetën. Kam punuar, kam mbajtur fëmijët edhe gjithçka. Nuk kam menduar gjë tjetër. Këmbëngula që të qëndroja atje, sepse mund që të vija më herët që kur më vdiq bashkëshorti, por ngaqë fëmijët ishin në atë shkollë, mendoja se do të ndryshonte pak zhvillimi i tyre. Ndenja disa vite atje dhe pashë që fëmijët nuk po ndryshonin, u ndjeva shumë e rraskapitur fizikisht dhe psikologjikisht. U ktheva pastaj tek të afërmit e mi, ata jetonin në Tiranë.
Katerina Trungu: Greqinë e ke përballuar e vetme!
Valentina Kondaj: Po e vetme.
Katerina Trungu: Çfarë sfide!
Valentina Kondaj: E vetme me fëmijët, ishin 7 vite shumë të vështira. Djali i madh ka qenë një mbështetje shumë e madhe, tek ai gjeja forcën për gjithçka. Më ndihmonte, rrinte me fëmijët gjatë kohës që unë punoja. Ai shkonte edhe në shkollë, e ndryshoi pastaj, ditën shkonte në punë dhe natën në shkollë. E kaloi shkollën natën që të kishte mundësi që të ndihmonte familjen. Të dy bashkë ia dolëm.
Katerina Trungu: Erdhët fiks në adoleshencë pastaj! Si e gjetët Shqipërinë në raport me nevojat që kishit?
Valentina Kondaj: Shumë e vështirë për t’u përshtatur edhe fëmijët, edhe unë. Kanë qenë rreth 2 vite tek “Luigj Gurakuqi”, por ishte diçka që nuk na funksiononte fare, transporti, oraret. Njërit nga çunat i ra epilepsia dhe u bë shumë agresiv. Nuk po ma mbanin më fëmijën, kjo ishte e vështirë edhe për mua pastaj. Ishte e vështirë edhe për mua, sepse thosha pse këta nuk po më kuptojnë. Pastaj shkova në Francë, nuk arrita dot as atje të pajisesha me letra dhe u ktheva përsëri.
Katerina Trungu: E ke provuar në të gjitha mënyrat!
Valentina Kondaj: Vetëm për fëmijët mendoja për asgjë tjetër. Edhe sot që flas, qëllimi im i jetës janë ata./tvklan.al