Kryeministri Edi Rama thotë se SPAK-u nuk është i tij, por i Reformës në Drejtësi të cilën shprehet se e ka bërë ai dhe PS-ja. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri deklaron se sfida për vitin 2025 është të ndërtojnë një sistem drejtësie të pavarur.

Edi Rama: Nuk është i imi SPAK-u, por i Kushtetutës dhe Reformës në Drejtësi. Tani jemi më të qartë, tani edhe Amerika është tërhequr nga kjo punë. SPAK-u është këtu dhe SPAK-u ka vetëm një garanci, e vetmja garanci për mbijetesën dhe shkuarjen përpara të SPAK-ut nga kjo luftë nga këneta politike dhe mediatike me në krye bufin plak të kënetës, është PS dhe unë në krye të saj. Reformën në Drejtësi e kam bërë unë me PS-në dhe e garantoj unë me PS-në dhe askush tjetër. Sfida në 2025-ën të ndërtojmë një sistem drejtësie të barabartë. Pjesa e parë e sfidës e fituar, pavarësisht kostos. Ka gjëra që nuk shkojnë edhe me SPAK-un.

Gjatë një bashkëbisedimi “Sy m’Sy” me qytetarët në rrjetet sociale, Rama thotë se nuk pranojnë që në emër të pavarësisë, paraburgimi të bëhet një normë për të kapur dhe për të kyçur brenda këdo pa gjyq.

Edi Rama: Askush nuk mund të thotë se SPAK është i kontrolluar nga unë. Është një institucion i pavarur, por sfida është që pavarësia të jetë garanci edhe për profesionalizëm, edhe për standarde demokratike. Ne nuk duam dhe nuk do e tolerojmë një sistem drejtësie të njëanshme dhe në shkelje të standardeve demokratike. Të të gjitha atyre kritereve të lirisë dhe të drejtave që bëjnë diferencën mes një drejtësie në diktaturë dhe një drejtësie në demokraci. Prandaj, edhe ne tani kemi hyrë në një fazë tjetër, ashtu siç ka hyrë edhe SPAK-u në një fazë tjetër. Na duhet të kemi një pozicion kritik. Nuk mund të pranojmë që në emër të pavarësisë të intimidohen njerëzit që merren në pyetje. Nuk pranojmë  që në emër të pavarësisë, paraburgimi të bëhet një normë për të kapur dhe për të kyçur brenda pa gjyq këdo qoftë kur kushtet që duhen për t’u paraburgosur dikush janë shumë të qarta dhe nuk kanë të bëjnë fare me një pjesë të atyre që janë konsideruar të përmbushura.

/tvklan.al