Në një lidhje në Skype për programin “Rudina”, në TV Klan ishte blogerja e njohur, Estela Ujka. Ajo u shpreh se është dita e 17 e vetëizolimit në shtëpi dhe ndryshe nga java e parë, ku dukej pak a shumë si festat e fundvitit tashmë me kalimin e ditëve ka filluar të ndihet lodhja.

Estela Ujka: Sot është dita e 17 e izolimit dhe nëqoftëse java e parë ishte këndshëm, na u duk pak a shumë si festa e Vitit të Ri, tani nuk është më aq këndshëm. Duket sikur mbyllja brenda ka bërë atë efektin e vet psikologjik dhe jemi pak të ezauruar, të lodhur sepse përditë janë të njëjtat aktivitete, pastrim, gatim, oraret me fëmijët. Qëndrimi në shtëpi edhe pse është për një kauzë të mirë sigurisht, duket që po jep efektet e veta dhe ne nuk jemi në ditën më të mirë për të motivuar njerëzit, se ndihemi pak të lodhur nga qëndrimi brenda.

Më tej, blogerja shton se gjëja më e mirë e këtij izolimi ka qenë kafja çdo mbasdite e përgatitur nga bashkëshorti i saj.

Estela Ujka: E vetmja gjë e mirë e karantinës ka qenë kjo kafja, që mbas 13 vjetëve bashkëjetesë me tim shoq, po ma përgatit më shumë dashuri çdo mbasdite. Dhe për fat, ai ka eksperiencë me kafet dhe kështu që këto 17 ditë kam pirë kafen më të mirë në jetë./tvklan.al