ebola11

Shefi i misionit të OKB- së në Liberi, Anthony Banbury, jep alarmin për një skenar që mund të kthehet në një makth të vërtetë: “Virusi Ebola mund të pësojë mutacion dhe të nisë të shpërndahet nëpëmjet ajrit, nëse epidemia nuk do të vihet nën kontroll”.

Sipas ekspertit, momentalisht bëhet fjalë vetëm për një hipotezë, megjithatë është një mundësi që nuk duhet përjashtuar.

Kjo deklaratë vjen menjëherë pas rastit të infektimit të një kameramani që punonte për rrjetin amerikan informativ Nbc News në Liberi, i cili ka rezultuar pozitiv në testin e Ebolas dhe do të kthehet në Amerikë për të marrë ndihmë mjekësore me anë të një avioni privat.

Lajmi u bë i ditur nga vetë Nbc, sipas së cilës kameramani, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, shfaqi simptomat e para të sëmundjes gjatë ditës së enjte dhe rezultoi i infektuar në më pak se 24 orë.

Ky është amerikani i katërt që merr Ebolan në Liberi.

Ndërkohë, në SHBA sa vjen e shtohet frika nga kjo epidemi vdekjeprurëse.

Janë të paktën 100 persona në Teksas që konsiderohen në rrezik pasi kanë rënë në kontakt direkt apo indirekt me pacientin liberian të shtruar në Dallas.

Megjithatë, për momentin asnjë nuk ka shfaqur simptoma të sëmundjes.

Deri më tani janë konfirmuar 7178 raste të infektuar me virusin Ebola, pjesa më e madhe e të cilëve në Sierra Leone, Liberi dhe Guinea.

Sipas Organizatës “Save the Children”, Ebola po përhapet me shpejtësi të tmerrshme në Afrikën Perëndimore.

Më shumë se 3300 persona kanë humbur jetën deri tani nga kjo sëmundje vdekjeprurëse

tvklan.al