spitali-LiepzigNjë pacient me Ebola ka ndërruar jetë në një spital në Leipzig.

Bëhet fjalë për një 56-vjeçar nga Sudani, pjesë e stafit mjeksor të Kombeve të Bashkuara në Liberi, ku edhe u infektua me virusin vdekjeprurës.

Identiteti i tij ende nuk është bërë i ditur. I vendosur në karantinë, pacienti mbërriti të enjten nga Liberia me një avion të veçantë.

Mjekët thanë se gjatë periudhës së kurimit në qendrën për të sëmurët me Ebola në Leipzig, gjendja shëndetsore ishte tepër kritike por e qëndrueshme.

Në këtë gjendje, ai kishte mbërritur në Gjermani. Sipas mjekëve, sa më herët të nisë terapia, aq më të shumta janë shanset që pacienti të mbijetojë.

Statistikat e deritanishme tregojnë se 70-80% e të infektuarve nuk mbijetojnë. Aktualisht, në Gjermani janë edhe dy pacientë të tjerë, njëri që po kurohet në Frankfurt dhe një tjetër, që u shërua pas 5 javësh kurimi në klinikën e Hamburgut.

Deri më tani, pacientë me Ebola ka edhe në vende të tjera të Europës, si në Spanjë, me numrin më të madh të të prekurve, Francë, Britani, Norvegji e Zvicër.

56-vjeçari përbën rastin e dytë të vdekjeve nga Ebola në kontinent, pas priftit spanjoll, që u nda nga jeta më 12 gusht në Madrid.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po hetohen personat që kanë pasur kontakt me infermieren e infektuar nga Ebola, pjesë e stafit mbikqyrës të Tomas Dunkan, që humbi jetën ditë më parë nga ky virus. OBSH numëron mbi 4 mijë viktima dhe 8400 të vdekur.

Vendet, ku përhapja e virusit është jashtë kontrollit janë ato të Afrikës Perëndimore, Liberia, Guinea e Sierra Leone.

Tv Klan