ebolaPrifti spanjoll Migel Pahares ka ndërruar jetë sot paradite në një prej spitaleve të Madridit ku ai po kurohej, pasi ishte infektuar nga virusi Ebola.

75-vjeçari mbërriti disa ditë më parë në kryeqytetin spanjoll në gjendje të rëndë shëndetësore. Vdekja e tij shënon viktimën e parë nga ky virus në Europë.

Prifti ishte infektuar teksa kryente detyrën e tij humanitare në një spital të Liberisë. Nga sa mësohet, Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte autorizuar përdorimin e një medikamenti eksperimental amerikan – Zmapp, për kurimin e priftit.

Një panel i posaçëm shkencor i kësaj organizate tha se është brenda normave etike përdorimi i ilaçeve apo vaksinave, efektet anësore të të cilave ende janë në fazën studimore, si në rastin e medikamentit në fjalë. OBSH tha se lejimi i përdorimit u bë pasi u morën garancitë e nevojshme se preparati plotësonte një sërë kushtesh.

Zmapp do të përdoret edhe në Liberi duke nisur nga fundi i kësaj jave, pasi medikamenti u dërgua me kërkesë të qeverisë së këtij shteti afrikan nga Shtetet e Bashkuara dhe në përputhje me vendimin e OBSH. Aktualisht janë të prekur nga virusi vdekjeprurës Ebola rreth 1800 persona, si në Liberi, ashtu edhe Sierra Leone, Guine dhe Nigeri. Ndërsa numri i viktimave nga Ebola në Afrikën perëndimore ka kaluar shifrën 1 mijë.

Tv Klan