“Të nevojshme, ka 3-fishim të rasteve”

Agjencia Europiane për Sëmundjet Infektive kërkon rikthimin e masave të bllokuese për frenimin e përhapjes së koronavirusit nëpër Europë. Sipas raportit periodik ku jepen vlerësimet më të fundit për situatën e pandemisë, kjo agjenci konstaton tjetër rritje domethënëse të ritmeve të përhapjes së COVID-19 në gjithë kontinentin.

Në statistikat e publikuara nga kjo agjenci, në të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian, ditët e fundit ka pasur 10 deri 15 mijë të infektuar të rinj. Bëhet fjalë për një shifër që duhet të verë në lëvizje autoritetet shëndetësore të këtyre vendeve.

Këto shifra janë gati sa gjysma e rasteve të reja ditore që u regjistruan në ditët e para të Prillit, kur në Europë u shënua edhe kulmi i pandemisë. Megjithatë, ato flasin qartë se ritmet e përhapjes janë deri 3 herë më të larta se kufiri prej 5 mijë rastesh në ditë i shënuar gjatë periudhës Maj-Korrik. Ekspertët thonë se shtimi sërish i ritmeve të përhapjes është shkaktuar pikërisht nga heqja e masave kufizuese.

Agjencia me qendër në Stokholm paralajmëron se nëse nuk rivendosen masat bllokuese, rrezikohet rikthimi në ritmet e përhapjes, të regjistruara në Prill. Europa si kontinent ka aktualisht mbi 3 milionë të prekur, mes të cilëve mbi 213 mijë kanë ndërruar jetë. Për nga numri i viktimave, Europa në tërësi ka më shumë ka më shumë se Shtetet e Bashkuara që aktualisht renditen në krye të listës botërore për vdekjet nga COVID-19. Kontinenti europian renditet i dyti në botë pas SHBA për nga numri i të prekurve.

Tv Klan