Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, të premten në Prishtinë është organizuar një ecje sensibilizuese, që kishte si qëllim dhe mesazh, adresimin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur të luftës së fundit në Kosovë.

Përfaqësuesit e shoqatave të personave të pagjetur, kërkuan më shumë angazhim të institucioneve për zbardhjen e fatit të këtyre personave, numri i të cilëve llogaritet të jetë mbi 1600, për të cilët nuk dihet asgjë që nga koha e konfliktit të vitit 1999.

Në emër të familjarëve të të zhdukurve, Bajram Çerkini, tha se adresa ku mund të kërkohet përgjigje për fatin e të pagjeturve është Serbia, e cila mbahet përgjegjëse për zhdukjen e këtyre personave gjatë kohës së luftës.

Familjarët në këtë ditë kanë një plagë që nuk mund ta shërojnë. Jo vetëm vendorët, por as ndërkombëtarët nuk po ndihmojnë e dihet që adresa është në Serbi”, tha Çerkini, duke aluduar në rritjen e presionit ndërkombëtar mbi Beogradin zyrtar për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të këtyre personave.

Vitet e dhembjes, shpresës dhe zhgënjimit

Në ecje, por edhe homazhe tek obelisku dedikuar personave të zhdukur, kanë marrë pjesë edhe figura të larta politike të institucioneve të Kosovës.

Është detyrimi yni shtetëror që të punojmë përditë, pa u ndalur, që ta zbardhim fatin e tyre. Kosova nuk harron!”, ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili mori pjesë në këtë ngjarje.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë përmes një postimi në Facebook se “zbardhja e fatit të të pagjeturve është jetike për familjet tona dhe për Republikën e Kosovës, për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tone”.

Nuk mund të ketë paqe pa e zbardhur të vërtetën e fatit të tyre dhe pa dhënë përgjegjësi kryesit e krimeve. Nuk do të ndalemi deri në zbardhjen e fatit të çdo të pagjeturi në Kosovë! As ne dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk mund të lejojmë që gjenocidi serb në Kosovë të harrohet dhe të kalojë i pandëshkuar”, ka shtuar ndër të tjera Thaçi./REL