Cilat janë arsyet e krizës

Nëse Vllaznia në 13 javë të Superligës ka marrë më shumë pikë se kurrë gjatë dekadës së fundit, ajo që bie në sy është se Kukësi ka marrë më pak pikë që kur kjo skuadër është ngjitur në elitën e futbollit shqiptar. Pas 13 javësh, kurrë nuk kishte ndodhur që Kukësi të ishte i distancuar nga kreu me 12 pikë.

Ekipi verilindor ndodhet në vendin e gjashtë në renditje me pikë të barabarta, 17, me skuadrën e Kastriotit, që këtë vit u ngjit në Superiore. Gjithashtu, kurrë më parë nuk kishte ndodhur që Kukësi në 5 javë radhazi të merrte vetëm 1 pikë. Statistika që flasin qartë për krizë në klubin verilindor, duke pasur parasysh pretendimet, ku gjithnjë është synuar titulli.

Po pse ka ardhur kjo krizë? Janë faktorë të ndryshëm, por kryesorja ndërrimi i thuajse të gjithë skuadrës nga sezoni i kaluar dhe mos kolaudimi mes reparteve. Bojkoti duket ka ndikuar për keq te kjo skuadër, nga ku u dorëhoq edhe trajneri Skënder Gega, i cili pa që ekipi nuk po i përgjigjej.

Po sikur mos mjaftonin rezultatet negative, sulmuesi Godberg Kuper po kthehet në çështje te Kukësi. 23-vjeçari ka luajtur 6 ndeshje këtë sezon në Superiore, ku nuk ka arritur të shënojë asnjë gol. Kuper nuk u grumbullua në ndeshjen kundër Laçit dhe nuk është paraqitur as në stërvitje. E ardhmja e tij duket një mister.

Kukësit i duhet të rikthehet sa më shpejt në rrugën e objektivave. Për javën e 14 të Superligës do të përballet me Vllazninë kryesuese. Më pas ndoshta pak relaks me kundërshtarë si Apolonia, Bylis, Skënderbeu dhe Kastrioti.

Tv Klan