Kosova vijon të ngjitet në renditjen e FIFA-s me sukseset që po arrin këtë vit. Nën drejtimin e Bernard Challandes nuk njeh humbje dhe në shtatë ndeshje të zhvilluara gjatë 2018, pesë prej tyre janë fitore.

Aktualisht Dardanët janë në vendin e 138 në FIFA, por synojnë që të përfshihen në 100 më të mirët shumë shpejt sipas kapitenit Samir Ujkani. “Jemi të lumtur për atë që kemi arritur dhe mendoj se do të jemi në 100 e parë brenda pak muajsh. Ky është objektivi ynë. Më vonë do të vendosim objektiva të tjerë” – tha portieri i Kosovës për faqen zyrtare të FIFA-s.

Momentalisht përfaqësuesja më e re në Europë kryeson Grupin D3 të Ligës së Kombeve dhe synon të ngjitet në Divizionin C. Natyrisht synimi kryesor është kualifikimi në finalet e Europianit ose Botërorit.

“Në dy ose tre vite, Kosova do të ketë ecur mjaftueshëm për tu kualifikuar në grupet e një turneu madhor” – deklaroi Ujkani. Kosova u pranua në UEFA e FIFA vetëm dy vite më parë, ndërsa rezultatet janë mbresëlënëse në kaq pak kohë.

Tv Klan