Edhe Bajerni i Mynihut është futur në garë për yllin e Borusia Dortmundit, Erling Haaland. Drejtori sportiv i bavarezëve, Hasan Salihamixhiç, deklaroi se nëse ata nuk do të tentonin që ta merrnin norvegjezin, atëherë do të ishin amatorë, pasi flitet për një futbollist që e gjithë bota e do.

Sulmuesi 21 vjeçar ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve që janë gati të shpenzojnë shifra të larta për të pasur shërbimet e tij.

Chelsea, Real Madrid, Manchester City dhe United kanë shfaqur interes për norvegjezin. Në Verën e ardhshme, aktivizohet klauzola e shitjes e Haalandit, me vlerë 68 milionë Paundë. Interesimit të klubeve, verdhezinjtë u janë përgjigjur se e lënë të lirë talentin norvegjez vetëm nëse në arkat e klubit derdhen 150 milionë Paund.

Në javët e fundit, ishte klubi i Chelsea i gatshëm që të bënte çmenduri për Haalandin, por vetë futbollisti u distancua e tha se ai ndihej lumtur te Dortmund.

Në sezonin e shkuar, Haaland realizoi 41 gola në të gjitha kompeticionet dhe ndihmoi verdhezinjtë që të siguronin një vend në Ligën e Kampioneve.

Klan News