Bizneset vazhdojnë që t’i drejtohen burimeve jo formale për të marrë borxh. Një studim i Bankës së Shqipërisë, i cili për herë të parë ka marrë si kampion një numër te konsiderueshëm prej 1300 ndërmarrjesh, nxjerr si konkluzion se 9.5% e sipërmarrësve që kanë një hua në Shqipëri e kanë marrë atë me fajde.

Raporti i bankës nënvizon se drejtimi i bizneseve drejt burimeve informale të ekonomisë është rritur gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti.

Në total 42.5% e bizneseve shprehen se kanë një hua për të paguar, ku pjesa kryesore e ndërmarrjeve me borxhe është në fushën e tregtisë dhe ndërtimit.

Në gjetjet e anketës së bankës qendrore vërehet se 8.2% e bizneseve të mëdha kanë marrë një borxh në rrugë jo formale. Te grupi i biznesit të mesëm 8.9% kanë marrë para me fajde, ndërsa përqindja bëhet më e lartë te ndërmarrjet e vogla. 16% e biznesit të vogël rezulton se ka marrë borxh në rrugë jo të ligjshme për të financuar aktivitetin e tij.

Shumica e ndërmarrjeve kanë evidentuar si faktor kryesor refuzimin e marrjes së një kredie nga bankat për drejtimin e kërkesës për borxh në burime të tjera.

Fajdet në Shqipëri kanë dalë si mundësi për qytetarët dhe sipërmarrësit sa herë që ka patur kriza dhe bankat nuk kanë dhënë kredi, ose gjatë periudhave kur ka shtim në qarkullim të parasë informale.

Tv Klan