Më 4 Shkurt, emisioni “Stop” në Tv Klan denoncoi rastin e gjimnazit “Skënderbej” në Tiranë të cilit i ishte hequr licenca por vazhdonte të jepte diploma me vulë të Drejtorisë Arsimore Tiranë dhe Ministrisë së Arsimt. Pas zbulimit të këtij skandali, një ditë më pas Ministria njoftoi shkarkimin nga detyra të drejtoreshës së Arsimit Tiranë, Arjola Byzyka. Kjo e fundit, pas shkarkimit nga ky post, është emëruar drejtoreshë e Kurrikulave në të njëjtin institucion.

Në puntatën e sotme, “Stop” zbuloi një fakt të ri. Gjatë kohës që znj. Arjola Byzyka ka qenë drejtoreshë e Arsimit Tiranë, ishte edhe studente me kohë të plotë e Fakultetit Juridik. Nuk ka asgjë të keqe fakti që po ndjek studime të larta për herë të dytë apo të tretë, por është e pamundur që të jesh në dy vende në të njëjtën kohë.

“Stop” mori nga Fakulteti Juridik një shkresë zyrtare ku konfirmon se znj. Arjola Byzyka është studente e Juridikut në vit të parë për sezonin mësimor 2018-2019, dhe deri më tani ka 3 mungesa gjithsej. Që do të thotë se Byzyka është studente e rregullt dhe frekuenton procesin mësimor. Por, gjatë kohës që ka qenë në Fakultet, rrjedhimisht ka munguar në punë në periudhën kur ka qenë drejtoreshë e Arsimit Tiranë.

Drejtori i komanduar i DAR Tiranë thotë se gjatë dy javëve që ai ka marrë detyrën, znj. Arjola Byzyka, që aktualisht është drejtoreshë e Kurrikulave në këtë institucion, nuk ka munguar në punë.

Drejtori i komanduar i DAR Tiranë, Redian Dengeri:

“Arjola Byzyka është punonjëse e këtij institucioni, është shefe e kurrikulës së cilësisë. Përsa kohë unë jam drejtor, ka dy javë jam drejtor, është në punë përditë sipas orarit zyrtar 08:00 – 16:30. Këto dy javë është prezente çdo ditë në punë. Kohë më përpara nuk e kam këtë informacion. Nuk jam në dijeni të këtij fakti. Dy javë kam drejtor i komanduar i këtij institucioni. Do bëjmë verifikimet tona dhe do ju themi”.

Gazetarja e Stop shkoi në zyrën e Arjola Byzyka, por nuk e gjeti aty edhe pse ora ishte 10:10 e paradites. Ndërsa juristi Çlirim Gjata shprehet se në këtë rast ka shkelje administrative.

Çlirim Gjata:

“Në të njëjtën kohë është drejtore e Kurrikulave, pra ka një funksion shtetëror, në të njëjtën kohë është studente në Fakultetin Juridik me kohë të plotë. Këto nuk mund të jenë të dyja. Tek njëra duhet të jetë parti-time. Drejtor part-time s’kam dëgjuar ndonjëherë. Studentë part-time kemi dëgjuar. Më mirë ta zgjidhte student part-time. Kur thotë që ka vetëm 3 mungesa, ose nuk shkon në punë atje dhe i paguhen ditët e punës kot, ose nuk shkon në shkollë. Të dyja s’mund të jenë. Ose i paguhet rroga kot pa shkuar në punë, ose nuk i vihen mungesat dhe i shënohet sikur ka marrë pjesë. Kjo duhet të hetohet. Njëra është shkelje e rëndë administrative”.

Nisur nga këto të dhëna, Arjola Byzyka ose nuk ka shkuar në punë kur mbante postin e Drejtoreshës së Arsimit Tiranë ose nuk i janë shënuar mungesat nga Fakulteti Juridik.

/tvklan.al