George Russell është kampioni i ri i Formula 1 virtuale. Turneu i zhvilluar në mënyrë elektronike për shkak të mungesës së garave të vërteta ka njohur si fitues pilotin e Williams, i cili tashmë, pas titullit në çmimet virtuale kërkon titullin në garat reale.

22-vjeçari nuk arriti të grumbullojë asnjë pikë të vetme në edicionin e shkuar të Formula 1, por në garat online ishte thjesht fantastik, ku me fitimin e garës së fundit, atë të Kanadasë, e dërgoi suksesin e tij në 4 fitore radhazi.

“Ka qenë e shkëlqyer. Na ka argëtuar dhe na ka mbajtur në ritëm, kjo është e sigurtë. Të kesh mundësi për të garuar kundër të gjithëve është një gjë e mirë. Jam i kënaqur që morëm rezultatet pozitive”, tregoi Rusell pas “titullit” virtual.

Tashmë britaniku shkon me petkun e kampionit në sezonin e vërtetë të Formula 1 dhe rivalët duhet ta marrin seriozisht potencialin e tij. Kjo për shkak se Russell la pas tij edhe dy rivalët e tij në garat reale, Alex Albon dhe Esteban Gutierrezin. Gara e transmetuar në platformat dixhitale të Formula 1 u zhvillua në ditën kur do të ishte organizuar gara e shtyrë e Montrealit.

Klan Plus