Edhe Hitleri me certifikatë të gjelbër? - Tv Klan

Edhe Hitleri me certifikatë të gjelbër?


Edhe Hitleri me certifikatë të gjelbër?

17:38 28/10/2021

Hakerët thyejnë sistemin e BE-së dhe prodhojnë certifikata false

Teksa në vendet e Bashkimit Europian, gjërat që mund të bësh pa certifikatën e gjelbër janë gjithnjë e më të pakta, një e tillë i është dhënë edhe në emrin e ish-diktatorit nazist Adolf Hitler, i cili ka 76 vite që ka ndërruar jetë. Madje nëse këto kode të përgjigjes së shpejtë skanohen me aplikacionet e certifikatave europiane të gjelbra, në emër të tij dalin dy certifikata, një me datë lindjeje 1 Janar 1900 dhe tjetra po 1 Janar 1930.

Certifikatat pa dyshim që janë të falsifikuara. Skandali është zbuluar nga disa blogerë italianë të specializuar për çështjet e teknologjisë së informacionit. Mediat e këtij vendi shkruajnë se hakerët kanë arritur të grabisin një numër të ashtuquajturish “çelësa kibernetikë” që mundësojnë krijimin e certifikatave të reja të vaksinimit. Certifikatat false po shiten në të ashtuquajturin “Darkueb” ose internetin alternativ të pakontrollueshëm nga autoritetet e shteteve të botës, ku çdo aktivitet kryet në anonimitet të plotë.

Autoritetet europiane kanë nisur identifikimin e rasteve të certifikatave të falsifikuara, për t’i shfuqizuar dhe për të përforcuar sistemin e Certifikatës së Gjelbër në mënyrë që të parandalohen të tilla grabitje në të ardhmen.

Tv Klan








Të ngjashme