Pranon edhe ata që kanë injektuar dozat e Sinovac dhe Sputnik-V

Hungaria hap nga kjo e enjte, kufijtë për vizitorët e vaksinuar nga Shqipëria, duke u bërë i treti vend europian që hap dyert për shqiptarët për sezonin turistik në kushtet e pandemisë së COVID-19 pas Spanjës dhe Francës.

Për të udhëtuar lirisht drejt Hungarisë, autoritetet e këtij vendi kërkojnë një certifikatë vaksinimi të disponueshme edhe në gjuhën angleze që vërteton imunizimin e plotë anti-COVID për shtetasit shqiptarë, siç parashikohet edhe në marrëveshjen e 8 Qershorit mes Kryeministrave Rama e Orban.

Krahas vaksinave Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johson & Johson të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave EMA, Hungaria pranon edhe kinezen Sinovac dhe rusen Sputnik-V që e ka përdorur edhe për imunizimin e popullsisë vendase, në dallim nga vendet e tjera të Bashkimit Europian që nuk e lejojnë.

Të imunizuarit me vaksinën e firmës kineze Sinovac mund të udhëtojnë prej 7 Qershorit edhe drejt Spanjës, krahas atyre që kanë injektuar dozat e vaksinave Pfizer e AstraZeneca. Të mërkurën, edhe Franca hapi dyert për vizitorët nga Shqipëria, por vetëm për ata që kanë injektuar dozat e lejuara nga Agjencia Europiane e Barnave.

Tv Klan