Protestat e studentëve u shtrinë këtë të premte në qytetet kryesorë të Italisë.

Në Romë, protestuesit u përleshën me policinë përpara Ministrisë së Arsimit, duke hedhur parulla si „Para për shkollën, jo për luftën“ dhe „më pak armë e më shumë të drejta“.

Përplasje me policinë u shënuan në Torino, ku protestave iu bashkuan dhe prindërit dhe mësuesit, të cilët u rreshtuan si mburoja njerëzore për të mbrojtur të rinjtë nga uji me presion i policisë, që erdhi pas hedhjes së gurëve.

Në Bolonja pati gjithashtu përplasje të ashpra.

Në tubime ra në sy edhe prania e flamujve palestinezë, ndërsa u hodhën parulla kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Shumë prej të rinjve mbanin veshur edhe veshje ku shkruhej Antifa, një lëvije e majtë radikale anti-fashiste.

Protestat e pagëzuara si “Dita pa Melonin” mblodhën të paktën 400 mijë njerëz në mbarë vendin.  Italia bëhet kështu vendi i radhës evropian që përfshihet nga një valë masive e protestave të nxënësve, një lëvizje e nisur javët e fundit në Francë për arsye të ngjashme.

/tvklan.al