Gazetari Artan Hoxha, nga studio e “Opinion” tregoi mbrëmjen e kësaj të mërkure se gjatë kohës që posedonte videon, në të cilën ai thotë se shfaqet Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla duke konsumuar drogë, kishte pasur presione e kërcënime për të mos i bërë pamjet publike.

“Unë po them, nuk e di në i ka futur ai, por erdhën njerëz të tjerë që kontaktuan, hynë në… Presion dhe marrëveshje është kërkuar pafund për ta evituar këtë gjë. Pa diskutim që kjo është pjesë. Gjithë kjo zhurmë që është shkaktuar sot mund të ishte zhdukur fare kollaj dhe unë të isha në hall timin. Por mua më interesonte fenomeni”.

Blendi Fevziu: Ju ofruan para, ju kërcënuan? Edhe kërcënim edhe para?

“Të gjitha, sigurisht. Në moment që ti nuk bën marrëveshje për të parën, atëhere…”

Blendi Fevziu: Erdhën nga njerëz të tjerë apo edhe nga bota politike?

“Edhe nga bota politike, edhe nga bota e nëndheshme, që të mos dalë “.

Hoxha tha më tej se iu ishte dashur kohë që ta verifikonte videon, pasi nga të dhënat që kishte për Kryebashkiakun Alla, figura e tij nuk lidhej me personin që shfaqej në video.

“Nuk më përputhej skeda e këtij. Ky është një njeri në pamje të parë, biznesmen, kishte pasur mundësi, kishte jetuar mirë, ishte marrë me administrimin e kromit, kishte kompani që kishte investuar në infrastrukturë etj. Pra gjithë kjo skedë e tij, që kishte qenë mësues fiskulture, njeri pa probleme, njerëz të afërt që kishte ky, kishin probleme, ky jo. Dhe kjo ma bënte këtë dyshim, ishte apo nuk ishte ky. Prandaj më është dashur kohë që ta verifikoj”./tvklan.al