Lejohen të kalojnë ata që kanë leje qëndrimi dhe pune

Pas Greqisë, edhe autoritetet e Malit të Zi kanë vendosur një regjim të ri të lëvizjes së shtetasve shqiptarë drejt territorit malazez për të treja pikat kufitare që lidhin të dy vendet.

Regjimi i ri i lëvizjes për shtetasit shqiptarë në drejtim të Malit të Zi do të jetë përgjatë fundjavës deri ditën e hënë. Nga pika e Kalimit Kufitar Hani i Hotit, do të lejohen të hyjnë në Malin e Zi, vetëm personat me leje qëndrimi, me leje pune, ata të cilët kalojnë tranzit në territorin malazez dhe ata që udhëtojnë drejt Aeroportit të Podgoricës. Këta të fundit duhet të jenë të pajisur me prenotimet e biletave.

Nga pika e Muriqanit, lejohet të kalojnë edhe ata persona të cilët kanë prenotuar hotelet për fundjavën në Mal të Zi. Nuk ka ndryshime, përsa i takon lëvizjes së mjeteve të transportit dhe të regjimit tregtar.

Ndërkohë që të gjithë personat që hyjnë në territorin e Malit të Zi sipas kritereve të caktuara nga autoritetet malazeze duhet të bëjnë tamponin për Covid-19.

Sipas njoftimit të policisë në pikën kufitare, Bashkim Vermosh, lejohen vetëm shtetasit shqiptarë të cilët duan të dalin nga Mali i Zi në drejtim të Shqipërisë.

Masat e reja do të jenë në fuqi vetëm për fundjavën, ndërkohë që nga e hëna regjimi i lëvizjes kthehet në gjendjen e mëparshme.

Tv Klan