Mbrojtje deri 95%. Fauci: Vaksinimi, jo më herët se vera e ardhshme

Një tjetër firmë amerikane duket se e ka gati vaksinën anti-Covid. Bëhet fjalë për kompaninë farmaceutike Moderna, zyrtarë të së cilës thonë se vaksina e tyre ka 94.5% efektivitet në mbrojtjen ndaj virusit. Bëhet fjalë për një nivel më të lartë se vaksina e zbuluar më herët gjatë këtij muaji nga bashkëpunimi i firmave Pfajcër dhe Bajontek me 90% efektshmëri.

Të dhënat e fazës së tretë dhe vendimtare të testimit të kësaj vaksine treguan se asnjë nga të imunizuarit nuk zhvilloi simptoma të Covid-it, siç thanë për BBC-në zyrtarë të kësaj kompanie.

Me shtimin e vaksinave që përfundojnë me sukses provat klinike shtohet mundësia e reduktimit të afatit për nisjen e vaksinimit masiv në gjithë globin. Përpara se Moderna të njoftonte zbulimin e vaksinës, kryevirologu amerikan Entoni Fauçi tha se situata nuk mund t’i kthehet normalitetit deri pas stinës së verës 2021 kur pritet të nisë edhe vaksinimi masiv.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Departamenti Amerikan i Shëndetit e ka gati planin për nisjen e vaksinimit që në Dhjetor. Plani është për blerjen e 20 milionë dozave nga firmat Pfajcer dhe Bajontek. Prioritet për vaksinimin do të kenë të sëmurët, stafet mjekësore dhe policët.

Planet e nisjes së vaksinimit janë gati edhe në Itali e Gjermani, ku po bëhen gati edhe magazinat frigoriferike për ruajtjen në temperatura të përshtatshme të tyre. Qeveria italiane po harton edhe planin e sigurisë së transportit të tyre, pasi ekziston mundësia që magazinat të grabiten. Presidenti amerikan Donald Tramp ka planifikuar që vaksinat t’i shpërndajë ushtria.

Rezultate premtuese po japin provat tek njeriu të vaksinës britanike që po zhvillohet nga Astra Zeneka.

Tv Klan