Lideri autoritar bjellorus tha për BBC se është “absolutisht e mundshme” që forcat e tij të kenë ndihmuar emigrantët që të kalojnë për në Poloni, por mohoi se emigrantët ishin ftuar në Bjellorusi.

“Mendoj se është absolutisht e mundshme. Ne jemi sllavë, kemi zemra. Trupat tona e dinë se emigrantët po shkojnë në Gjermani”, tha Alyaksandr Lukashenka.

“Ndoshta dikush i ka ndihmuar ata. Unë as që do të merrem me këtë punë”, shtoi ai.

Megjithatë, Lukashenka mohoi se ka ftuar mijëra emigrantë për të provokuar një krizë në kufi.

“Ju thashë atyre që unë nuk do t’i ndaloj emigrantët në kufi, t’i mbaj ata në kufi dhe nëse ata vazhdojnë të vijnë, unë nuk do t’i ndaloj sepse ata nuk po vijnë në shtetin tim, por në shtetin tuaj”, tha Lukashenka.

“Por, nuk i ftova ata. Dhe të jem i sinqertë, unë nuk dua që ata të kalojnë nëpër Bjellorusi”, shtoi lideri autoritar.

Lukashenka ka qenë në pushtet në Bjellorusi që prej vitit 1994, por rizgjedhja e tij si president në gushtin e vitit të kaluar nuk është pranuar nga Perëndimi, pasi zgjedhjet janë parë si të manipuluara.

Ai është akuzuar nga Bashkimi Evropian se ka orkestruar krizën në kufi me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë si shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura ndaj Bjellorusisë për shkak të shtypjes së protestave opozitare, që janë mbajtur pas zgjedhjeve presidenciale të gushtit të kaluar.

Mijëra protestues dhe aktivistë opozitarë janë ndaluar dhe liderja opozitare, Svetlana Tikhanovskaya është detyruar të largohet nga Bjellorusia, pasi tha se fitoi zgjedhjet.

Të paktën 2,000 migrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, ngritën kampe në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë deri këtë javë, kur u vendosën në një depo në afrësi. Vlerësohet se 5,000 migrantë janë ende në Bjellorusi, ehe pse qindra janë larguar drejt Irakut.

Zyrtarët e BE-së e kanë akuzuar lideri autoritar bjellorus për “qasje jonjerëzore të stilit të bandave” sa i përket situatës në kufi, duke thënë se ai u ka premtuar migratëve se do ta kenë të lehtë të hyjnë në Poloni dhe qëllimin e ka pasur që ta destabilizojë BE-në./REL