Presidenti i Republikës, Ilir Meta, doli sot në një konferencë për shtyp ku sqaroi pozicionin e tij lidhur me akuzat që kryeministri Edi Rama bëri në drejtim të tij për bllokimin e projektit të Lungomares në Vlorë.

Por konferenca e paralajmëruar në orën 18:30 nisi rreth 15 minuta më vonë. Teksa kërkoi ndjesë për vonesën, Meta sqaroi se kjo kishte ndodhur për shkak se në Presidencë kishin ikur dritat… e me këtë rast nuk e kurseu edhe ironinë në drejtim të OSHEE.

“Na falni për vonesën, por na ikën dritat në Presidencë, kështu që e kishim të pamundur të lidheshin në kohë me ju… se kuptohet ka nisur edhe OSHEE fushatë elektorale dhe ikja e dritave mesa duket do të jenë më të shpeshta”, tha Meta.

Ndërkohë në konferencën e tij për shtyp, Presidenti i quajti një maskaradë akuzat e Kryeministrit Rama se ai ka bllokuar fondin saudit për projektet infrastrukturore në Vlorë. Sipas Metës, ka qenë Rama që negocioi në mënyrë të paligjshme, pa kërkuar më parë autorizim tek Presidenti./tvklan.al