Mesazhi i Konferencës Botërore për SIDA/AIDS-in në Amsterdam është i qartë: lufta kundër kësaj sëmundjeje është çështje e vullnetit politik. Kush pengon arsimin dhe parandalimin, kush propagandon besnikëri martesore dhe vlera familjare, por i lë vetëm gratë dhe fëmijët e infektuar me HIV, kush damkos dhe bën fajtor drogmenët dhe homoseksualët, bllokon përparimet në luftën kundër AIDS-it dhe do të jetë fajtor.

Dhe këto përparime janë të mëdha. Ato tregojnë se edhe një i sëmurë me AIDS mund të ketë një jetë të denjë. Ato tregojnë se përhapja e epidemisë arriti të ngadalësohet përmes një kombinimi të arsimit, progresit mjekësor, solidariteti global dhe politikave të përgjegjshme shëndetësore. Ato tregojnë se frika ndaj vdekjes po pakësohet dhe se AIDS po bëhet gjithnjë e më shumë sëmundje kronike – madje edhe në vendet e varfëra.

Botsvana shembullore

Lufta kundër AIDS-it është pra një histori e madhe suksesi. Në shifra: Në vitin 2017, 22 nga 37 milionë njerëz të infektuar me HIV në botë u trajtuan me ilaçe. Katër milionë prej tyre jetojnë në Afrikën e Jugut, vendi me programin më të madh shtetëror për HIV në botë. Për herë të parë që nga fillimi i mijëvjeçarit, numri i vdekjeve vjetore me AIDS në mbarë botën ka rënë nën një milion në vitin 2017.

Kjo është veçanërisht e qartë në rastin e Botsvanës, vendi me numrin e dytë më të lartë të HIV në botë (17 përqind). Midis 2010 dhe 2017 përqindja e personave me AIDS që marrin kokteje antiretrovirale u rrit nga 50 për qind në 84 për qind. Numri i të vdekurve nga AIDS-i ka rënë nga 18,000 (2003) në 4,000 (2017).

Spirale negative në Rusi

Duke pasur parasysh këtë histori zhvillimet në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore janë edhe më serioze. Një kombinim shkatërrimtar i injorancës, besimeve fetare, ndërgjegjes tradicionale, tabuve, diskriminimit dhe papërgjegjësisë politike në këtë rajon kërcënon të zhbëjë përparimet e bëra tashmë në fushën e luftës kundër AIDS-it.

Zhvillimi në Rusi është veçanërisht drastik. Sipas UNAIDS, rreth një milion rusë janë të infektuar me HIV. Numri i infeksioneve të reja vjetore  është rritur nga 50,000 në vitin 2004 në 100,000 vitin e kaluar. Vetëm rreth 360,000 e personave të prekur kanë qasje në terapitë kundër AIDS-it.

Ndër të tjera, spiralja negative ruse bazohet në mosrespektimin e vazhdueshëm të standardeve ndërkombëtare të zhvilluara me mundim. Ku udhëheqësit fetarë e dënojnë këtë sëmundje si “ndëshkim të Perëndisë” dhe politikanët konservatorë dhe nacionalistë pretendojnë se “mbrojnë familjet”, gratë që janë infektuar me HIV nga burrat e tyre vdesin. Dhe fëmijët lindin me virusin vdekjeprurës, edhe pse transmetimi mjekësisht mund të ishte parandaluar.

Kataklizmoja nuk ndodhi

Aty ku jeta e njerëzve vlen pak, kujdesi për pacientët me AIDS nuk është një çështje e madhe. Pse të investosh në sistemet shëndetësore publike kur SIDA është një “epidemi e homoseksualëve”, shkruante revista Der Spiegel në një kryeartikull të botuar në vitin 1983? Pse të bëhen sqarime në shkollë kur besnikëria në martesë mendohet se është mbrojtja më e mirë? Përse?

Sa i përket AIDS-it po vjen ora e së vërtetës. Dhe e vërteta është edhe se kataklizmoja nuk ndodhi – edhe nëse apokaliptistët kurrë nuk lodhen së shpalluri atë./DW