Qeveria ka vendosur të shtyjë me një vit efektet e ligjit për investimet strategjike. Nisma i jep të drejtë çdo investitori të huaj apo shqiptar që në bazë të vlerës së investimit e cila varion nga 1 deri në 30 milionë Euro, të marrë statusin e investitorit strategjik me procedurë të asistuar, duke përfituar shkurtim të procedurave dhe vënien në dispozicion të pronave shtetërore për qëllime të biznesit të tij.

Për vlera investimi mbi 50 milionë Euro, investitori merr statusin strategjik me procedurë të veçantë, ku përveç tokës publike, kompania ka të drejtë kërkojë shpronësim edhe për pronat private.

Ndryshimi i jep afat edhe një vit propozimeve për investimet në fushën e energjisë, minierave, transportit, turizmit dhe bujqësisë. Me përfundimin e efekteve të këtij ligji, ekzekutivi po planifikon ndryshimin edhe të ligjit për investimet e huaja.

Drafti parashikon që mbrojtje të veçantë shtetërore nuk do të kenë vetëm shtetasit e huaj, por dhe shqiptarët. Në fund të vitit 2019-ë, titulli i tij do të jetë “ligji për investimet”, duke mos i dhënë më trajtim preferencial vetëm bizneseve të huaja, por do të trajtojë njësoj edhe kompanitë shqiptare në bazë të vlerës së investimit që do të bëhet.

Statusi i mbrojtjes shtetërore sot jepet me vendim të Këshillit të Minsitrave në rastin e koncesioneve, pronave shtetërore që të vëna në dispozicion të investitorit, apo zgjidhjes së konflikteve që ai ka me palë të treta, vetëm për firmat e huaja.

Tv Klan