Pas mesazhit të Marios kundrjet vëllait, Ervisit dhe kunatës, Blerinës në “Ka Një Mesazh Për Ty”, u duk se gjithçka mbaroi, të paktën për çiftin. Por ndërsa moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea u afrua drejt tyre dhe nisi të bisedonte me ta, pas shpinës nisi të ndodhte magjia.
Duke qenë se Blerina do të festojë 40-vjetorin që përkon me 20-vjetorin e martesës me Ervisin, ka qenë dëshirë e çiftit që të rifreskojë betimet e martesës. Ata u njohën kur ishin fëmijë, por vazhdojnë të jenë të dashuruar marrëzisht. Për këtë arsye, Mario ka vendosur t’i surprizojë duke realizuar betimin e tyre në programin më të dashur të së dielës.
Ardit Gjebrea: Yt vëlla na tha një sekret: që ju të dy jo vetëm që nuk ndaheni, por gjithmonë doni t’i bëni premtimet e dashurisë njëri-tjetrit, e vërtetë?
Blerina: Po.
Ervis: Kemi një javë që zihemi, thotë pse s’më puthe kur u martove me mua, por më takove?
Blerina: Para 20 vjetëve.
Ervis: “Pse s’më puthe thotë aty po vetëm më takove?” I thashë ndoshta koha.
Ardit Gjebrea: Zëre se jemi 20 vite para dhe ju do t’i ribëni njëri-tjetrit. Do të donit që t’ia bënit premtimet njëri-tjetrit?
Të dy njëzëri: Po.
Ardit Gjebrea: Jepi dorën, por duhet të ktheheni pak këtej.
Kur Ervisi dhe Blerina shohin ndryshimin e skenës dhe pastor Altin Kitën që i pret, mrekullohen. Megjithëse në studio ka dëshmitarë mjaftueshëm, ashtu si teleshikuesit që dëshmojnë dashurinë e tyre, falë teknologjisë, bashkohen edhe familjarët e tyre në ekranin e madh. Pastori merr fjalën duke bërë një përmbledhje të dashurisë së tyre.
“Do e ripërkushtojmë dashurinë tuaj që filloi kur ishit fëmijë, si e ndau Mario dhe sot duket sikur nuk na habit më asgjë në këtë kohë se çfarë s’kemi parë, çfarë s’kemi dëgjuar, por një dashuri që ka rezistuar 20 vite, me sfida, me ulje, me ngritje është e rrallë, plus 7 të tjera dhe më ngjan me një përshkrim që thotë Bibla:
‘Dashuria është e durueshme, nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq. I duron të gjitha, beson të gjitha, shpreson të gjitha, mban çdo gjë. Dashuria nuk ligështohet kurrë’.
Kjo lloj dashurie na duhet akoma dhe sot dhe sa mirë që ju kemi juve si model dhe jemi gati ta ripërkushtoni e ta zmadhoni këtë gjë. Ervisi dhe Blerina, para 20 vitesh, kur u martuat atëherë dhe e patë njëri-tjetrin në sy dhe s’e di sesi ia thatë premtimet njëri-tjetrit, por ishit të vegjël dhe nuk e di a e dini çfarë priste. Ama në këto 20 vite, jeni gati për të ripërkushtuar dashurinë ndaj njëri-tjetrit dhe për të thënë edhe njëherë ato që i thatë para 20 viteve njëri-tjetrit”.
Edhe njëherë si 20 vite më parë, Ervisi dhe Blerina i thonë “po” njëri-tjetrit me gjithë zemër duke e korrigjuar ‘gabimin’ pasi e vulosin betimin me puthje.
Pastor Altin Kita: Ervis, a zgjedh sot edhe njëherë, me gjithë zemër, si atëherë për të qenë burri i Blerinës, por edhe miku i ngushtë i saj, por edhe mbrojtësi i saj, edhe partneri i saj, a pranon që do ta duash siç Krishti deshi kishën, me besnikëri, me sakrificë, me dashuri pa kushte derisa vdekja t’ju ndajë?
Ervis: Po!
Pastor Altin Kita: Blerina, a zgjedh ti sot edhe njëherë me një zemër plot mirënjohje për të qenë gruaja e Ervisit, por edhe partnerja e tij, edhe mikja e tij më e mirë, edhe fansja e tij më e madhe, a premton që do ta duash me gjithçka ke, me gjithë forcën tënde, me gjithë butësinë tënde, me gjithë besnikërinë tënde, përkushtimin e palëkundur ndaj tij në vitet që keni përpara derisa vdekja t’ju ndajë?
Blerina: Gjithmonë! Deri në frymën e fundit!/tvklan.al