Organizatorë, këngëtarë, balerinë, stafi teknik dhe çdokush i angazhuar me “Këngën Magjike” janë nën ethet e natës së parë të edicionit të 20 të këtij festivali të këngës moderne shqiptare. Gjithçka është gati. Skena madhështore, ndriçimi dhe audio kanë garancinë e emrave me të njohur të gjigantit italian, RAI.

Ndërsa gjiganti tjetër, Mediaset, do të jetë i pranishëm me 12 balerinë, me ndihmën e balerinës Klaudia Pepa dhe nën drejtimin e koreografit Fabrizio Prolli, që ka bashkëpunuar me emra të njohur të muzikës botërore, si Xhenifer Lopez.

“Kur Klaudia më telefonoi, më pyeti nëse mund ta ndihmoja të bënim këtë spektakël, për mua ishte një nder sepse, përveçse nuk kisha qenë kurrë në Tiranë, unë vlerësoj shumë Klaudian si balerinë, është vërtetë një balerinë e zonja. Pastaj ajo më tha të sjellim disa italianë. Kështu që djemtë që kemi sjellë  janë pikë së pari miqtë e mi dhe kur u thashë që të vinim këtu ishin entuziastë.  Skena është e mrekullueshme, ndriçimi, grafikat, producentët, stafi janë shumë të sjellshëm. Ishte një surprize fantastike. Arditi ka qenë i sjellshëm me ne dhe jemi ndjerë si në familje”, tha

Fabrizio Prolli.

Fituesi i edicionit të 16 të “Amici” e Maria de Filippi-t, Andreas Muller, është pjesë e trupës së baletit dhe nuk e fsheh entuziazmin.

“Unë personalisht isha shumë i lumtur që do të bëja këtë punë, që do të vija në Shqipëri, në këtë spektakël. Dhe kur erdhëm këtu pamë skenën, ambientin dhe mendoj që do të jetë padyshim një eksperiencë e bukur. Dje pamë provat, duket gjithçka bukur kështu që jemi të lumtur që do të kërcejmë këtu. Jemi edhe ne kurioz të shohim sonte se si do shkojë situata dhe mbrëmja në vetvete”, tha Andreas Muller.

Teksa skena të tilla si ajo e “Sanremos”, jo pak here kanë dëgjuar talentet Shqiptare, këtë vit janë italianet që kërkojnë suksesin në një skenë shqiptare.

Por jo vetëm kaq. Ardit Gjebrea premton akoma më shumë.

Në krah të Gjebreas këtë vit prezantojnë Klaudia Pepa e Bora Zemani.

Gara do të përfshije 23 këngëtarë të njohur dhe 26 këngëtarë të rinj. Natën e parë do të ngjiten në skenë 24 këngë konkurrentë, si dhe do të performojnë edhe disa të ftuar.

Për herë të parë në Shqipëri Teknologjia Interaktive, nëpërmjet syzeve virtuale 360 e sjell publikun nga shtëpia direkt në sallën e Pallatit të Koncerteve, vetëm me një klik në faqen Zyrtare të Këngës Magjike.

Këto dhe shumë surpriza të tjera në tre netë që do të transmetohen ne ekranin e Televizionit Kombëtar Klan, me 5, 6 dhe 8 Dhjetor, drejtpërdrejtë nga Pallati i Kongreseve.

Tv Klan