Edhe “Venecia” lexohet sipas dëshirës

Posta

Edhe “Venecia” lexohet sipas dëshirës

14:00 14/10/2019

Reagojnë Presidenca, PD e mazhoranca

Ashtu si çdo raport tjetër ndërkombëtar, edhe opinioni i Komisionit të Venecias është lexuar sipas dëshirës nga politika në Tiranë.

Edhe pse në dokumentin final thuhet se Presidenti nuk mund t’i anulonte zgjedhjet dhe që dekreti i tij për anulimin e 30 Qershorit nuk u mbështet në asnjë ligj, Presidenti mendon se opinioni konfirmon qëndrimin e tij.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson se Opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias konfirmoi të gjitha qëndrimet e Presidentit të Republikës. Si asnjëherë tjetër, Opinioni përfundimtar pësoi ndryshime thelbësore nga projekti paraprak. Ndër konkluzionet kryesore u evidentua se:

1.Presidenti i Republikës nuk ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka tejkaluar kompetencat e veta kushtetuese.

2.Presidenti i Republikës pati qëllim legjitim, që synonte shmangien e gjakderdhjes, mbrojtjen e pluralizmit politik, ruajtjen e stablitetit dhe të kredencialeve demokratike të vendit.

3.Kompetencat kushtetuese të Presidentit nuk janë formale.

4.Dekretet e Presidentit janë në fuqi dhe nuk u sfiduan përpara asnjë gjykate.

5.Zgjedhjet parlamentare kanë status më të lartë kushtetues se zgjedhjet vendore.

Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen që gjatë katër muajve u shpërdoruan energji që do të duhet të ishin në shërbim të integrimit europian të Shqipërisë dhe vendimit të shumëpritur për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE”.

Edhe Opozita e Bashkuar është në të njëjtën linjë me Presidentin, duke quajtur legjitim aktin e kreut të shtetit, për të cilin Venecia thotë se nuk u bazua në ligjet shqiptare. 

“Komisioni i Venecias konfirmoi se Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkleje të Kushtetutës dhe se iniciativa qeveritare për shkarkimin e tij bie ndesh me Kushtetutën. Presidenti ka ndjekur një qëllim legjitim për të shmangur konfliktet e mundshme sociale dhe për të mbrojtur demokracinë në vend. As Qeveria dhe as Parlamenti monist nuk kanë sfiduar përpara asnjë gjykate Dekretet Presidenciale. Kjo nënkupton se Dekretet e Presidentit për anullimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve janë edhe sot në fuqi”.

Ndryshe e lexon opinionin final shumica, e cila duket e vendosur të vazhdojë hetimin për shkarkimin e presidentit.

Siç duket nga reagimet, edhe pse Komisioni i Venecias u shpreh qartë se anulimi i zgjedhjeve nuk ishte i ligjshëm, opinioni i këtij institucioni nuk do ta ndryshojë qëndrimin e palëve në Tiranë. Megjithatë, ai do të shërbejë si bazë për vendimin final të Komisionit të Posaçëm Hetimor, ndërsa fjalën e fundit do ta ketë Gjykata Kushtetuese.

Tv Klan


OTP
Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
AZHBR
UKT
Grupi
UKT