Kryeministri Edi Rama shprehet se Sali Berishës i njeh vetëm një meritë. Dhe kjo është në aspektin e lidershipit, ndërsa për të thotë se pushtetin e sheh si qëllim.

Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Rama tha se Sali Berisha ka aftësi për të arritur objektivin.

Blendi Fevziu: Po me Berishën që e keni patur konstante përplasjen, çfarë mendimi keni? Jo duke e parë si kundërshtar politik? Si shpjegohet që nuk e keni kursyer asnjë sekondë për 30 vjet vetëm Sali Berishën?

Kryeministri Edi Rama: Saliu është tipiku i pushtetit si qëllim, jo si mjet për të arritur qëllimin. Ky është dallimi shumë i madh, domethënë kjo e ka penguar jashtëzakonisht shumë…

Blendi Fevziu: A i njihni ndonjë gjë pozitive Berishës?

Kryeministri Edi Rama: Në aspektin e punëve, vështirë. Në aspektin e metodës, vështirë. Në aspektin e lidershipit, po.

Blendi Fevziu: Ç’do me thënë në aspektin e lidershipit?

Kryeministri Edi Rama: Ka qenë dhe është….tani më mirë të mos flasin se është në rënie të lirë, por karizmatik, shumë i vendosur dhe mbi të gjitha shumë i aftë për të shkuar drejt objektivit dhe për të mos u hallakatur gjatë rrugës. Pra është shumë më tepër strategjik se sa taktik, në aspektin e natyrës së lidershipit dhe kjo e ka bërë që të jetë dominant në një periudhë kohe shumë të gjatë në partinë e tij, por të jetë dominant për një periudhë jo të vogël edhe në këtë periudhë të historisë e madje të ketë dominancën e vet edhe kur nuk ka patur pushtet.  /tvklan.al