Edi Rama intervistë një ditë pas atentatit të shtëpisë së tij – (10 Nëntor 2000)



Edi Rama intervistë një ditë pas atentatit të shtëpisë së tij – (10 Nëntor 2000)

14:24 10/11/2000

Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Një ditë pas atentatit në shtëpinë e kryebashkiakut Edi Rama, ku u qëllua dritarja e njërës dhomë, hetimet i kanë marrë në duar ekspertët e laboratorit kriminalistik, në Ministrinë e Rendit. Sot ata, por edhe oficerët e shërbimeve sekrete të policisë, kanë vëzhguar rreth e qark pallatit të Ramës tek rruga “Muhamed Gjollesha”, por pa gjetur ende plumbat apo gëzhojat.

Sot nga matjet e bëra ka rënë pista e qitjes nga largësi të mëdha, pasi nga pallati më i lartë 300 metra larg, nuk ishte e mundur një gjë e tillë, duke lënë kështu pistën e vetme, që dritarja e kryebashkiakut është goditur nga pallati përball. Nuk ka ende të ndaluar për këtë ngjarje. Vetë Edi Rama është shprehur për TV Klan, i vendosur për punën dhe pozicionin e tij.

Edi Rama, Kryetari i Bashkisë Tiranë:- “Në radhë të parë, unë nuk do të doja që ta personalizoja këtë çështje, në kuptimin që të luaja viktimën ose heroin. Ajo që është shqetësuese, kryesisht është që unë përfaqësojë mazhorancën e qytetarisë tiranase, që më ka dhënë votën dhe nuk ka asnjë forcë, që mua më largon vëmendjen nga detyra”.

Gazetari:- Që nga ardhja juaj në Bashkinë e Tiranës, keni ndërmarrë disa aksione, që ndoshta i kanë rënë edhe dikujt, që mund të ketë mërzitur dikë. Mendoni se mund të jetë edhe kjo një goditje?

Edi Rama, Kryetari i Bashkisë Tiranë:- “Jo unë nuk mendoj, që kjo ka lidhje me veprimet e punës sime, sepse këto që unë kam ndërmarrë këto ditë nuk janë asgjë në krahasim me ato që unë do të ndërmarrë më tej, në bazë të programit tim. Pra unë mendoj që kjo është pjesë e një strategjie, për të shkatërruar edhe njëherë shpresën në Shqipëri”./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj




Të ngjashme