Në fjalimin e tij hapës për prezantimin e kabinetit qeveritar, Kryeministri Edi Rama vlerësoi qeverinë e re si formacioni me përbërjen më të lartë të grave në Shqipëri. Ai theksoi se kjo qeveri, pavarësisht numrit më të lartë të gjinisë femërore, do të vlerësohet periodikisht për veprimet e tyre në pozicionet përkatëse.

I nderuar Kuvend i Shqipërisë,
Me një ndjenjë të posaçme mirënjohjeje për zgjedhësit tanë dhe përgjegjësie përpara të gjithëve ju për të kërkuar votëbesimin e qeverisë së re për mandatin e tretë radhazi të Partisë Socialiste. Kjo qeveri e re do të hyjë në histori si qeveria me përbërjen më të lartë të grave jo vetëm në Shqipëri. Unë jam krenar që kjo shumicë qeverisëse e ka çuar përpara në tërë këto vite, si asnjëherë më parë, përpjekjen shoqërore për t’i dhënë grave dhe vajzave shqiptare vendin e merituar në bashkësinë tonë. Përbërja e qeverive të kësaj shumice, ka qenë një pasqyrë kuptimplotë e kësaj përpjekjeje, siç është e tillë edhe pasqyra e rritjes së vazhdueshme të numrit të grave në këtë Kuvend, falë vullnetit të ligjvënësve të këtij Kuvendi. Kjo është një nga ato gjëra me rëndësi të cilave koha iu jep gjithnjë e më shumë rëndësi dhe për këtë besoj se ky Kuvend do të marrë një nga jo shumë faqet e bukura të historisë shqiptare të ligjvënies.

Me votëbesimin e këtij kabineti të ri, Shqipëria ngjitet në vendin e parë të klasifikimit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për numrin e grave në qeveri pasi ka qëndruar më parë në 5 vendet e para të këtij klasifikimi. Por thënë kjo, dy gjëra të tjera duhen thënë.

E para, tejkalimi i lartë këtë herë i shkallës së barazisë 50 me 50% mes anëtarëve dhe anëtareve të rinj qeveritarë nuk ka qenë qëllim në vetvete. Raporti i përmbysur i anëtareve në këtë kabinet të ri nuk ishte një pikënisje e qëllimshme si në rastin e krijimit të kabinetit të parë, por ishte pikëmbërritja e natyrshme e analizës dhe e punës për formimin e këtij kabineti. Pra, sot kemi dukshëm më shumë kolege se sa kolegë në këtë kabinet, jo për shkak të faktorit gjinor, por për arsye se ministret e qeverisë së re iu përshtatën më mirë qëllimeve, startit të mandatit të tretë, punës që duam të bëjmë me kriteret dhe pozicionet që ato mbulojnë në këtë formacion qeveritar. Kjo do të thotë se siç faktori gjinor nuk ka qenë shtysa e përfshirjes së tyre në qeveri, nuk do të jetë as një notë plus në vlerësimin e performancës së tyre në veprim, ku vetëm rezultatet do të përcaktojnë gjykimin periodik dhe kohëqëndrimin e çdo anëtari të kabinetit të ri në qeveri, pa dallim gjinie./tvklan.al