Menjëherë pas përfundimit të Këshillit Politik dhe deklaratave për mediat nga opozita parlamentare dhe jashtëparlamentare, ka reaguar kryeministri Edi Rama.

Mesazhi ka qenë i qartë për Partinë Demokratike.

Pengesa juaj sot nuk është as kushtetuese, as juridike, po thjesht politike! Ju doni të merrni peng hapjen e listave e të zvarrisni procesin me alibira absurde“, shkruan Rama.

Në një postim në Twitter, kreu i mazhorancës shkruan: Miqve të PD u them shumë thjeshtë: Kuvendi në 30 korrik voton hapjen e listave dhe këtë jo ju, po as ne nuk e ndryshojmë dot, sepse ky është qartësisht vullneti i shqiptarëve edhe përtej partive që sot janë në parlament! Fatmirësisht risitë kushtetuese nuk pengojnë asgjë për ju!

Ju doni lista të hapura 100%! Votimi i 30 korrikut nuk e pengon këtë. Jemi gati ta diskutojmë pa humbur asnjë ditë pas 30 korrikut. Ju doni koalicion parazgjedhor s’e nuk ndaheni dot nga LSI! As këtë s’e pengon votimi i 30 korrikut. Edhe këtë e zgjidhim po të keni vullnet pozitiv.

Shkurt, pengesa juaj sot nuk është as kushtetuese, as juridike, po thjesht politike! Ju doni të merrni peng hapjen e listave e të zvarrisni procesin me alibira absurde. Por për këtë s’keni konsensus nga ne dhe mund ta bëni pa ne, siç bëtë kur dogjët mandatet e kur ikët nga zgjedhjet!

Shqipëria është shumë e vogël për sherre e mosdakordësira që zmadhohen nga hiçi dhe pushteti shkon e vjen po Shqipëria mbetet, prandaj mendoni pak më shumë për Shqipërinë dhe pak më pak për sherrin e radhës, se me sherr as keni fituar e as fitoni dot ju, po lëndohet Shqipëria! /tvklan.al