Lulzim Basha, kryetari më i votuar në zonë

Hapja e listave në këto zgjedhje solli jo pak surpriza në rezultatin final të renditjes së kandidatëve për deputetë. Për herë të parë kandidatët jashtë zonës së sigurt në listë, patën mundësi të thyenin herësin dhe të merrnin mandatin e deputetit, duke lënë jashtë edhe figura me peshë në partitë respektive.

Por njëherazi vota individuale, apo thënë ndryshe ajo preferenciale u vu re që nuk shkoi domosdoshmërisht në masë tek kryetarët e partive. Në disa raste siç ishte Taulant Balla u rendit mbi Kryetarin e partisë së tij, Edi Rama.

Por cili rezultoi në këto zgjedhje lideri i partisë më të votuar nga shqiptarët? Kreu i Partisë Socialiste, njëherë kryeministri, Edi Rama rezulton të jetë personi që ka marrë mbi 27 mijë vota, ndonëse kandidoi në dy qarqe. Rama mori 15871 vota në Durrës dhe 11412 vota në Vlorë.

Ndërkohë kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka marrë 16,186 vota në Qarkun e Tiranës ku ai kandidoi. Pas tij vjen Tom Doshi i PSD-së me 7,886 vota individuale.

Në vend të katërt renditet kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi me 7412 vota, i rreshtuar në koalicion me Partinë Demokratike. Pas tij vjen kreu i republikanëve Fatmir Mediu me 6551 vota i ndjekur Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar me 5386 vota.

Në vend të shtatë renditet kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka me 4731 vota. Vetëm në vend të tetë renditet Monika Kryemadhi e LSI-së me 2,446 dhe Vangjel Dule me 848 vota. Më pak i votuari është Kujtim Gjuzi, i cili sipas të dhënave të KQZ ka marrë vetëm 3 vota.

Tv Klan