Nga e premtja deri të dielën mbyllet qarkullimi i automjeteve private e atyre të transportit ndërurban

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar pak minuta më parë masat drastike që do të merren nga ora 6:00 e ditës së nesërme deri ditën e diel, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vend.

Në një postim në Facebook, Rama njofton se nga nesër, e Premte, në orën 6:00 e deri ditën e Diel në mesnatë, do të do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe atyre të transportit ndërurban, drejt Tiranës dhe Durrësit apo anasjelltas nga Tirana dhe Durrësi drejt zonave të tjera të vendit.

Po ashtu, nga e Premtja në 06.00 deri të Dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private në Tiranë e Durrës, si dhe transporti ndërurban mes Tiranë e Durrësit.

Nga e Premtja në 06.00 deri të Dielën në mesnatë do të mbyllet qarkullimi i automjeteve private dhe urbanëve në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Lushnje, Fier dhe Vlorë.

Rama njofton se qarkullimi në këto territore do të jetë i hapur vetëm për autoambulancat, automjetet që kryejnë funksione shërbimi shtetëror dhe ato që transportojnë mallra.

Qarkullimi me makina për mediat

Ndërkohë, Rama njofton se për të kryer shërbimet e tyre informative gjatë “shtet-rrethimit” të fundjavës brenda perimetrit Tiranë-Durrës, mediat televizive duhet të akreditojnë automjetet e trupave të tyre, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në Tiranë.

Administrata shtetërore

Masa Kryeministri njoftoi edhe për administratën shtetërore, e cila të premten do të jetë pushim.

Për kryerjen e detyrës në shërbimet shtetërore ose publike brenda perimetrit Tiranë-Durrës, gjatë periudhës së “shtet-rrethimit” të fundjavës, punonjësit e aeroportit apo të institucioneve të tjera shtetërore që kryejnë funksione të domosdoshme dhe e kanë të pamundur lëvizjen në këmbë, duhet të akreditohen pranë drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit, emër për emër.

Marrja në automjetin e punës e personave të familjes apo personave të tjerë që s’kanë lidhje me detyrën shtetërore është rreptësisht e ndaluar dhe do të ndëshkohet me sanksione të rënda.

Për vajtje-ardhjet nga aeroporti drejtuesi i automjetit duhet t’i tregojë post-bllokut, biletat e fluturimit të personave që do të largohen apo e personave që do të mbërrijnë.

Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor Shqiptar

Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor Shqiptar do të mbyllë shërbimet e saj në të gjithë Shqipërinë deri në një urdhër të dytë. “Nuk jemi në emergjencë as për patenta të reja as për ndryshime të pronësisë së mjetit, po për të mbrojtur veten, njëri-tjetrin dhe Shqipërinë nga armiku i padukshëm që na vjen të gjithëve rrotull, duke kërkuar pengje në familjet tona”, shkruajti Rama.

Sipërmarrjet

Sipërmarrjet që kryejnë shërbime transporti mallrash apo shërbime furnizimi me mallra ushqimore apo farmaceutike në perimetrin Tiranë-Durrës, duhet të akreditojnë automjetet e transportit të punonjësve të tyre, si edhe vetë punonjësit, emër për emër, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

/tvklan.al