Mëngjesin e ditës së sotme, 5 Maj 2021 aktori mjaft i dashur për publikun Guljelm Radoja ka humbur jetën në spitalin “Shefqet Ndroqi” si pasojë e Covid-19. Arti ka humbur një nga figurat më të rëndësishme dhe një nga aktorët më të spikatur ndër vite. Ndarja e tij nga jeta ka shkaktuar hidhërim dhe trishtim tek shumë miq dhe koleg të tij.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook i ka dhënë lamtumirën e fundit aktorit duke e quajtur atë “mik”.

“Lamtumirë i dashur mik”, ka shkruar Rama.

Pas kreut të qeverisë reagoi edhe Presidenti Ilir Meta. I pikëlluar shprehet kreu i shtetit, ndërsa thotë se ndarjja nga jeta e Radojës është një humbje e madh për familjen e tij dhe komunitetin e tërë të artistëve.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin trishtues për ndarjen nga jeta të një prej ikonave të kinematografisë dhe skenës shqiptare, artistit të madh Guljelm Radoja, i cili me veprën e Tij la gjurmë të përhershme në trashëgiminë tonë artistike, kulturën kombëtare dhe kujtesën shpirtërore të shqiptarëve. Falë interpretimit virtuoz, talentit dhe mjeshtërisë së rrallë artistike, Guljelm Radoja u dha përjetësinë personazheve të tij, duke e lartësuar dhe e përfaqësuar denjësisht artin shqiptar, aq sa me të drejtë mund të thuhet se kinematografia shqiptare humbi sot “Petro Nini Luarasin” e saj, që aq mjeshtërisht ai e solli në filmin “Kush vdes në këmbë”. Ashtu sikundër do të jenë të paharruara për të gjithë ne edhe dhjetëra personazhet e interpretuara prej Tij për shumë dekada. Ngushëllimet më të ndjera për familjen Radoja dhe komunitetin e dashur të artistëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme. Lamtumirë miku ynë i dashur”, shkruante Meta.

Guljelmi ka qenë i shtruar në spitalin e Durrësit më shumë se tre javë më parë, ku nuk dëshironte për asnjë arsye të lëvizte nga ky qytet dhe ta sillnin më herët në Tiranë. Pas përkeqësimit të tij ai u soll në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku humbi dhe jetën. /tvklan.al