Kryeministri Edi Rama ka qenë në Sarandë sot ku ka parë nga afër një operacion të eksportit detar të Shqipërisë. Bëhet fjalë për peshqit ton dhe se si kapen për t’u dërguar më pas në Japoni.

Por ajo që ka tërhequr vëmendjen ka qenë një foto e shpërndarë në rrjetet sociale nga vetë kreu i qeverisë. Ai shfaqet anash dy peshqve të mëdhenj ton duke u matur me to. Komenti i kryeministrit është ajo që i ka shkaktuar të qeshura mes komentuesve të tij. “Alamet çunash”, shkruan Rama.  

Kreu i ekzekutivit njoftoi gjatë kësaj të mërkure se ka nisur sot operacioni më i madh i eksportit detar të Shqipërisë, i cili e përfshin edhe Japoninë në hartën e eksporteve shqiptare, që nga 3 vende në vitin 2013 sot ka 27 destinacione.

Rama thotë se industria shqiptare e peshkimit tanimë është një industri konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe pas pesëfishimit të eksporteve të saj në dy mandatet e para, qeveria e tij synon dyfishimin në mandatin e tretë./tvklan.al