Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama prezantoi sot në qytetin e Lushnjës kandidatët për deputet. Lideri i opozitës i ka njohur banorët edhe me programin e ri qeverisës që do të marri jetë më 28 qershor. Sipas Ramës duhet një ndryshim historik i politikës për t’i dhënë fund njëherë e mirë halleve dhe ndarjes njëherë e mirë nga politika e baltës e mllefit që s’bën asgjë për qytetarët, të cilët kanë 18 vjet që presin një Shqipëri europiane.

Edi Rama ka siguruar qytetarët e Lushnjës se me të marrë drejtimin si kryeministër do të dijë të jetë pranë njerëzve duke sjellë një qeverisje që ofron më shumë vende pune dhe cilësi jete. Do t’i japim fund epokës së deputetëve që rrinë gjithë ditën në kutinë e televizionit dhe shfaqen vetëm në kohë fushate përballë qytetarëve tha Rama.

Edi Rama: “Votoni për një skuadër, votoni për një program, votoni për një drejtues dhe nuk votoni midis njërit dhe tjetrit dhe tjetrit. Partitë që ju vijnë këtu duke ju thënë ky është djali juaj, kjo është vajza juaj, jepeni votën këtu, çojeni votën atje. Thuajuni që historia e pazareve me votën, historia e kontratave individuale që pastaj përkthehen në trafik deputetësh në parlament. Historia e çuarjes së votës sa andej dhe këtej ka mbaruar dhe ne do të votojmë për PS sepse me një votë do të marrim të paktën 10 deputetë.”

Kryesocialisti ka falënderuar të gjithë të pranishmit dhe u ka kërkuar të bëjnë zgjedhjen e duhur më 28 qershor. Pasi me ndryshimin e duhur më 28 qershor pasi me ndryshimin e kësaj qeverie të korruptuar do ndryshojë edhe jeta e çdo shqiptari kudo qoftë ai nga veriu në jug.

Edi Rama: “Do t’i japim fund epokës së deputetëve që zhduken vetëm për tu shfaqur në kutinë e televizorit dhe do ta nxjerrim qeverinë nga kutia e televizorit për ta sjellë pranë jush. Jo për të prerë shirita, por për t’u ulur me ju, për të folur me ju, për tu dëgjuar juve, për të vendosur me ju çdo hap që ne do të hedhim.”/tvklan.al