Në “shtetrrethim” edhe Shkodra, Lezha, Elbasani, Fieri dhe Vlora

Dy javët e ardhshme do të jenë ato që na tregojnë se cila është shkalla e agresivitetit të virusit në vendin tonë. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama tha se rritja e virusit do të vijojë, por masat që po merr qeveria janë rruga e vetme për ta penguar.

“S’kemi parë gjë akoma dhe kjo pa shaka. Kini parasysh se dy javët e ardhshme janë ato që do të na tregojnë shkallën e agresivitetit të virusit. Rritja e numrave do të vijojë dhe sot nuk e dimë se sa do të rritet kurba. Është e sigurtë që çka po bëjmë bashkarisht është e vetmja rrugë për të penguar rritjen. Ajo që dimë është se sa më shumë të shtrëngohemi sot, aq më shumë e kemi bërë tonën përballë këtij armiku që vjen bashkë me të panjohura të mëdha”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se përveç Tiranës dhe Durrësit, zinxhiri i ndalimeve të mjeteve private, lokaleve dhe mjediseve të mbyllura do të shtrihet edhe në Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier dhe Vlorë.

Kreu i qeverisë bëri thirrje se do të ndalohet qarkullimi i mjeteve private jo vetëm përbrenda qyteteve, por edhe në akset që lidhin Fierin me Vlorën, Elbasanin me Korçën dhe Lezhën me Shkodrën.

“Nesër zinxhiri i ndalimeve të aktiviteteve tregtare shtrihet përtej Tiranë-Durrësit në qarqet Shkodër, Lezhë, Elbasan, Fier dhe Vlorë. Kudo do mbyllen lokalet dhe mjediset e mbyllura sipas të njëjtave kategori si Tiranë-Durrës. Do të ndalohet jo vetëm qarkullimi brenda, por edhe qarkullimi në rrugët nacionale që lidhin Fierin me Vlorën, Fierin me Lushnjen dhe Shkodrën me Lezhën. Do të ndalohet edhe qarkullimi mes Elbasanit dhe Korçës. Në perimetrin e blinduar do të këputet lidhja për autobusët dhe mjetet private. Kompanitë prodhuese dhe sipërmarrjet e shërbimit që nuk hyjnë në listën e aktiviteteve të ndaluara, duhet të marrin masa që ditën e hënë të transportojnë punonjësit me autobusë të akredituar. Të gjithë punonjësit e administratës që nuk janë shkëputur nga puna, duhet të pajisen me kartelën identifikuese që të qarkullojnë me automjetin e tyre privat”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit tha se mediat duhet të ndërpresin çdo lloj programi me më shumë se dy të ftuar, ndërsa bëri thirrje që të evitohen ambientet me ajër të kondicionuar sepse ndihmojnë në përhapjen e virusit.

“Prej ditës së hënë duhet që të gjitha kompanitë mediatike që kryejnë shërbimet televizive të ndërpresin çdo lloj programi me më shumë se dy persona në studio. Studiot televizive të cilat punojnë në mjedise me ajër të kondicionuar dhe mbledhin më shumë se sa dy persona për spektakle apo programe të llojeve apo formateve të ndryshme janë vatra të rrezikshme në këtë luftë me armikun e padukshëm. Këtu i lutem të gjithëve të evitojnë ajrin e kondicionuar sepse e ndihmon përhapjen e virusit”, u shpreh Rama.   

/tvklan.al