Veliaj: Është një tempull i kulturës, tashmë traditë e Tiranës
Mbrëmjen e së Shtunes mbylli siparin edicioni 21 i “Tirana International Film Festival” TIFF. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili çmoi punën që Akademia Marubi bën për kulturën dhe artin në kryeqytet.
“Kur ndodh diçka në qytet është një ngjarje, por kur kjo ndodh çdo vit dhe me të njëjtin seriozitet, kthehet në një traditë të bukur. Në Tiranë ka pasur shumë aktivitete, por në këtë festival po ndodh diçka që i prek thellë njerëzit sepse është një katedrale, një tempull i të menduarit dhe të reflektuarit. Për këtë ju jam mirënjohës.”
Pjesë e Edicionit të 21-të të “Tirana International Film Festival” ishte këtë vit edhe premiera e filmit “Kaymak” e regjisorit Milcho Manchevski.
“Më vjen mirë që kemi shumë miq këtu sot dhe u jap mirëseardhjen në Tiranë atyre nga India e largët, nga Italia, nga Gjermania, nga Britania, nga Maqedonia, nga Kosova, nga Serbia, nga Mali i Zi, nga Kroacia. Sot Tirana vërtet gumëzhin nga turistët, të cilët janë pa fund. Teksa ju filloni një festival, Kujtim Çashku mbyll festivalin e tij. Teksa mbyllet kjo natë, fillon një mesnatë e gjatë me Sven Gath në qendër të qytetit. Shpresoj shumë që në këtë buqetë aktivitetesh, secili gjen veten dhe lidh një urë me dikë tjetër.”
Nga ky festival i filmit ndër më jetëgjatët në vend përzgjidhen filma të cilët kualifikohen për të garuar në “OSCARS” dhe “European Film Awards”.
Klan News