Edlira Gjoni është eksperte komunikimi, trajnere dhe lektore me eksperiencë të gjatë në media e jetën publike. Ajo është autorja e librit, “Vajzat për Shqipërinë”, libër i botuar në 2 gjuhë në anglisht dhe shqip. Ky libër flet për vlerat e Shqipërisë, i portretizuar përmes 51 vajzave. Këto vajza janë figura jopublike, një zgjedhje kjo e qëllimtë e autores, për t’i dhënë mirënjohje rreth 1.5 milionë vajzave e grave të cilat në mënyrë të heshtur, e bëjnë Shqipërinë të funksionojë normalisht.

E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Edlira Gjoni tha se “Vajzat për Shqipërinë” i ka sjellë kënaqësi të madhe dhe se për të gjetur personazhet e librit ka udhëtuar në vende nga më të ndryshmit.

“Siç ndodh gjithmonë, sa herë jemi larg Shqipërisë na merr malli për gjërat e bukura. Unë isha në Amerikë dhe gjëja për të cilën më merrte malli ishin gratë, vajzat, nëna ime, të cilën nuk e kam më. Për të gjithë njerëzit që më rrethonin, shkrova një faqe e më pas një libër dhe kur lexoja lajmet e herë pas hershme për vrasjen e grave dhe vajzave,thash: “Si mund të jetë vetëm kjo mënyra se si vjen gruaja në ekran?” Ne kemi pothuajse 51% të popullsisë gra që punojnë në mënyrë të heshtur dhe pa u vënë në pah. Duke qenë se gruaja në Shqipëri sakrifikon gjithë kohën mendova të flisnim për vlerat dhe zgjodha 51 vlera në mënyrë simbolike duke qenë se vajzat dhe gratë përbëjnë 51% të popullsisë në Shqipërisë dhe botë. Më është dashur një vit e gjysmë që të identifikoja 51 portrete apo personazhe për librin tim. Kam vajtur në skuta ku nuk të shkon mendja. Kam provuar kënaqësi të madhe duke u marrë me këtë libër për portretizimin e këtyre vajzave, se sa nga puna ime”,

tha Gjoni.

/tvklan.al