Në emisionin “Stop” ka mbërritur ankesa nga prindërit e fëmijëve në kopshtin “3 Dëshmorët”, Kavajë. Ata kërkojnë rikthimin e edukatores Lindmira Gjuzi, pasi fëmijët nuk pranojnë të shkojnë në kopsht.  

Prindi: Para disa ditësh më vjen lajmi se zysha nuk do jetë më edukatore e fëmijëve tanë. Dua të di arsyen pse kjo ka ndodhur? Kemi shkuar në kryetari i Bashkisë nuk na priti fare. Fëmija im nuk do të shkojë në kopsht.

Gazetarja: A ka ardhur një edukatore e re në kopshtin e fëmijës tuaj?

Prindi: Po është njëra, por fëmija im thotë nuk dua. Nuk ka pasur asnjë ditë asnjë lloj ankese nga fëmija im, që të thotë kalova keq.

Prindërit tregojnë se prej dy vjetësh fëmijët e tyre ndiqen nga edukatore Lindmira Gjuzi. Atë e kanë larguar padrejtësisht nga puna, edhe pse ishte e palodhur dhe kujdesej shumë mirë për fëmijët.

Prindi: Ka qenë magazinë dhe çdo gjë që është vendosur aty mësuesja e fëmijëve tanë e ka sjellë nga shtëpia, çdo gjë, me tapeta, me arredimin që i ka bërë, me të gjitha. Edhe ngrohjet janë sjellë po nga mësuesja e grupit. Psikologjia e fëmijëve tanë është lidhur shumë me mësuesen dhe çdo moment ata e kërkojnë.

Prindërit kanë bërë dhe një peticion, duke kërkuar rikthimin e Lindmirës, por ky veprim nuk është marrë parasysh nga Drejtoria e Kopshteve në Bashkinë Kavajë.

Prindi: Ne kemi bërë dhe një peticion, të cilën ia kemi çuar dhe drejtorëve të kopshteve, por nuk është marrë parasysh asgjë. Na është thënë që nuk është e vërtetë që i keni firmosur ju, na kanë akuzuar që këto firma janë të falsifikuara dhe nuk merret asnjë gjë parasysh.

Vetë edukatorja Gjuzi thotë se në 26 Dhjetor i ka ardhur vendimi për largim nga puna. Arsyeja është mosrespektim i orarit të punës, ndërkohë që të gjithë e dinë rregullsinë e saj. Ajo thotë se e dashuron punën që bën dhe është shumë korrekte.

Lindmira Gjuzi: Kam mbaruar shkollën parashkollor në 2013, mbas një peripecie të madhe u futa në punë. Por nuk kam zënë vendin e askujt, jam në profilin tim. Në datë 26 Dhjetor më morën në telefon, shkarkim pune. Shkova bashkë me drejtoreshën dhe në praninë e saj lexova vendimin.

Gazetarja: Për çfarë arsye të kanë larguar?

Lindmira Gjuzi: Moszbatim orari dhe moskryerjen e mësimdhënies. Kjo nuk është e vërtetë. Si ekziston që unë nuk jap mësim, kur prindërit nuk ankohen sikur fjalën më të vogël. Nëqoftëse unë kam shkelur të gjitha rregullat e punës, unë largohem vetë.

Gazetarja: A kanë qenë për inspektim nga Drejtoria e Kopshteve?

Lindmira Gjuzi: Anjëri nuk ka ardhur. Kjo më ndodhi pas një jave. Kur më erdhën për të bërë inventarin e kopshtit, punonjës të Bashkisë, pasi debatova me inspektoren sepse donte që mallin tim ta fuste në inventar. Brenda javës mua më erdhi një shkarkim pune.

Drejtoria e Kopshteve Kavajë thotë se ka një relacion për këtë edukatore se ajo nuk respekton orarin.

Gazetarja: Për cfarë arsye është hequr edukatorja?

Drejtori: Arsyet i ka në relacionin përkatës. Në qoftë se ka pretendime të tjera, zonja mund t’i drejtohet gjykatës!

Gazetarja: Ju i keni marrë parasysh, se ajo i ka sjellë të gjitha gjërat nga shtëpia e vet aty?

Drejtori: Këtë nuk e di.

Gazetarja: Nuk e dini! Nuk keni pyetur! Për çfarë keni pyetur?

Drejtori: Më dëgjo, të lutem! Inventarizimi i Bashkisë nuk ka ndodhur vetëm për kopshtin “3 Dëshmorët”, por është për të gjithë shkollat dhe kopshtet e Kavajës.

Gazetarja: Më fal, të sjellësh një edukatore në Janar, pasi kanë kaluar disa muaj. Të ndërpresësh këtë marrëdhënie mësimore…

Drejtori: Nuk është ndërprerë fare, për asnjë lloj arsye.

Gazetarja: Është ndërprerë, sepse fëmijët nuk duan të shkojnë në kopsht.

Drejtori: Të lutem, nuk është ndërprerë fare.

Gazetarja: Është ndërprerë, sepse unë i pashë fëmijët, që nuk duan të shkojnë në kopsht.

Drejtori: E keni gabim! Kërkesën unë do ta rishikoj, nuk është se nuk është parë. Ka qenë në tryezën time.

Gazetarja: Kur do ta rishikoni? Kur të mbarojë ky vit?

Drejtori: Si?

Gazetarja: Kur të mbarojë ky vit?

Drejtori: Në asnjë një mënyrë.

Gazetarja: Si e ke vlerësuar, që e ke larguar?

Drejtori: Kam një relacion për atë zonjën.

Gazetarja: Relacion, i cili mbështetet ku?

Drejtori: Mbështetet në mosrregullsinë në punë, në mungesën e orarit të punës.

Gazetarja: Si e vërteton?

Drejtori: Atë e vërtetoj unë, kur të jem para gjykatës dhe jo para teje.

Gazetarja: Si? Ekziston një rregull, që është një grup inspektimi, ora, dita. E ke ti këtë?

Drejtori: Rregullat, se si i kam unë të organizuara brenda institucionit, ku unë përfaqësoj janë.

Gazetarja: A mund ta shoh unë pak këtë relacion?

Drejtori: Jo!

Gazetarja: Pse?

Drejtori: Bëje kërkesën me shkrim!

Drejtori: Qetësohu ti, mos u mërzit!

Gazetarja: Nuk mërzitem fare unë. Ky peticion nuk merret parasysh për Lindmira Gjuzin?

Drejtori: Peticioni merret për edukatoren dhe kushtet e…

Gazetarja: Për këtë që po të pyes unë, jo për kushtet e tjera.

Drejtori: Posi jo! Hajde, i pres të diskutojmë. Riorganizimin e brendshëm të drejtorisë time e kam unë.

Gazetarja: Bëhet në fillim të vitit apo në mes të vitit riorganizimi?

Drejtori: Unë e filloj riorganizimin tim në momentin, që kam marrë detyrën.

Gazetarja: Në momentin, që do ti?

Drejtori: Në momentin, që kam marrë detyrën dhe jam në riorganizim deri në fazën që ta bëj këtë lloj drejtorie aty ku është.

Gazetarja: Dhe mendon se për fëmijët e kopshtit është më mirë të shkëputet në mes?

Drejtori: Dhe unë mendoj, që çfarëdo lloj pyetje që ti ke tjetër, të lutem në protokoll të Bashkisë, bëj një kërkesë!

Gazetarja: Këto ishin pyetjet e mia!/tvklan.al