Edi Reja do të zyrtarizohet si trajner i Shqipërisë mesditën e 17 Prillit. Tekniku italian do të mbërrijë në kryeqytetin shqiptar për t’iu drejtuar menjëherë zyrave të Federatës së Futbollit ku do të formalizojë marrëveshjen e tij me Presidentin Duka për të marrë drejtimin e kombëtares Shqiptare.

Tv Klan mësoi se një ditë më parë tekniku kishte marrë edhe draftin e kontratës për tu konsultuar me avokatët e tij. Por rënia dakord paraprakisht mes palëve duket se ka shërbyer si faktor që trajneri të bëjë gati valixhen për të udhëtuar drejt Shqipërisë. Fillimisht ai do të firmosë për 1 vit me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër për një shumë prej 250 mijë Eurosh në vit dhe 200 të tjera në formë bonusi për çdo fitore dhe për kualifikimin në Euro 2020.

Edoardo Reja, 73 vjeç ka një eksperiencë tejet të gjatë në trajnim. Këtë profesion ai e ka nisur që në vitin 1979, pasi kishte luajtur për afro 12 vite futboll. Duke e filluar me skuadra modeste në kategori të ulëta të kampionatit italian, Reja arriti të marrë drejtimin e skuadrave të serie A si Vicenza, Catania, Cagliari, Napoli, Lazio. Atalanta ishte skuadra e fundit që ka drejtuar deri në 2016.

Prej afro një muaji Federata e Futbollit ka qenë në negociata me teknikun. Më 22 Mars ai ishte i pranishëm në “Loro Boriçi” në ndeshjen që Shqipëria humbi me Turqinë. Por mbrëmjen e së hënës ai ka nisur menjëherë nga puna. Trajneri është parë në tribunën e stadiumit të Bergamos për të parë ndeshjen Atalanta- Empoli. Berisha dhe Gjimshiti tek Atalanta ishin në stol por të paktën reja pa lojën e Frederik Veselit të Empolit që u aktivizua për 90 minuta.

Tv Klan