Ëmbëlsirat dhe kekët nuk po konsumohen më si dikur nga futbollistët e Mançester Junajtid, që pas ardhjes së Kristiano Ronaldos. Impakti i yllit portugez ka qenë i madh në rikthimin në “Old Trafford”, ndërsa entuziazmi ka kapluar të gjithë tifozët.

Sulmuesi 36-vjeçar në debutimin e tij të shtunën kundër Njukasëllit në Premier Ligë realizoi dy golësh në fitoren 4-1. Kristiano Ronaldo dallohet për kujdesin e tepruar, kur bëhet fjalë për ta mbajtur veten në gjendjen më të mirë fizike të mundshme.

Por kjo përkujdesje është përqafuar edhe nga shokët e ekipit, të cilët kur kanë parë se ëmbëlsirat dhe kekët nuk konsumohen nga portugezi, kanë vendosur që të mos t’i hanë më ato. Këtë e tregoi vetë portieri i Junajtid, Li Grent në emisionin “talksport”, ku theksoi se sa i madh është ndikimi i lojtarit në grup.

Por jo vetëm kaq, pasi me ardhjen e Kristiano Ronaldos, tani po mendon që të rinovojë edhe ylli tjetër i ekipit, Pol Pogba.

Kontrata e tij përfundon verën e ardhshme, ndërsa francezi po ndiqej nga Reali, PSG dhe Juventusi. Megjithatë, performanca që Junajtid bëri ndaj Njukasëllit dhe forca e ekipit kanë lënë një impakt pozitiv te Pogba, e në Angli raportojnë se shpejt do të nisin bisedimet për rinovimin e kontratës.

Klan News