Ajo është vetëm 10 vjeç, por është një vajzë shumë e talentuar dhe me shumë ëndrra. Rrugëtimi i saj në muzikë ka nisur suksesshëm që me përfaqësimin e Shqipërisë në “Eurovision Junior 2018”, me këngën “Barbie”. Edhe pse titulli i këngës mban emrin e kukullës më të famshme, mesazhi që përcillte ishte krejt ndryshe.

Efi Gjika përmes këngës, kërkoi që fëmijët të mos trajtohen si kukulla, por të shihen si çdo person tjetër që ka dëshira dhe kërkon të arrijë diçka në jetë. Së fundmi ajo ka lançuar këngën e saj më të re “Happy Birthday”, një këngë me një videoklip mjaft origjinal.

E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan këngëtarja Efi Gjika tha se videoklipi është bazuar në realitet sepse ajo ka xhiruar në ditëlindjen e një prej fanseve të saj në Pragë.

“Ky videoklip është i bazuar në realitet. Unë bëra një “konkurs” në Instagram që të zgjidhja një nga fansat e mi dhe t’i shkoja për ditëlindje dhe t’i këndoja. Ajo që u përzgjodh ishte një vajzë nga Praga. Shkova atje dhe qëndruam për 4 net dhe xhiruam edhe në ditëlindjen e saj, gjatë festës. U kënaqëm shumë”, tha Efi./tvklan.al