“Besoni deri në fund, Zoti do të na ndihmojë”

“Po të besoni deri në fund dhe të luani me besim do ta shikoni ça do të bjëë Zoti dhe ata besuan deri në fund dhe fituan”.

Ky është mesazhi me të cilin Emanuel Egbo motivoi skuadrën e tij që ishte në disavantazh prej minutës së 53 të ndeshjes deri në të 84. Dhe futbollistët bardheblu besuan deri në fund. Me këmbëngulje, dhe për më tepër me shumë bindje, vunë shpirtin në fushë. Një goditje dënimi u fitua pranë zonës dhe Kukësi u gjend me 10 lojtarë. Idriz Bathës nuk iu dridhën gjunjët teksa e shënjestroi portën kundërshtare.

Barazimi shtoi besimin se mund ta përmbysnin kryesuesen e renditjes dhe vetëm dy minuta më pas, teksa një pjesë e mirë e lojtarëve të Tiranës gjendej pranë portës, Aghustin Torassa i pamarkuar shënoi golin e fitores.  

Nuk kishte më kohë për Kukësin për të ndryshuar rrjedhën e lojës, pasi ishte edhe më 10 lojtarë.

“Gjithçka u përmbys për 5 min, gabuam më dëshirën për të realizuar golin e dytë”, tha ai.

Tirana në vend të parë, pasi fitoi një përballje direkte, duket se e ka shtuar më shumë përgjegjësinë e bardhebluve, aq më tepër që përpara është takimi më i rëndësishëm i kësaj faze.

“Mos prisni të them që jemi për titull, tani mendojmë për Partizanin”.

Në 10 ndeshje, 9 fitore dhe 1 barazim. Emanuel Egbo i ka rikthyer besimin futbollistëve të tij se Tirana mund të rikthehet tek lavdia.

Emocionet që transmetoi fusha e lojës u reflektuan tek stolat e stadiumit. Këto janë pamje të xhiruara paraditen e kësaj të shtune që dëshmojnë se tifozeria shqiptare, nuk ka nisur ende ta përjetojë futbollin si festë, por si një moment për të shkarkuar ngarkesën emocionale. Si zakonisht, e pësojnë stolat.

Federata shqiptare e futbollit dënon këto akte dhe bën të ditur se nga 164 ulëse, 145 janë dëmtuar nga  ana e tifozëve të Tiranës dhe 19 nga ana e tifozëve të Kukësit.

FSHF ka dokumentuar me video dhe foto personat konkretë që thyejnë ulëset dhe nëpërmjet një kërkese zyrtare, i ka kërkuar Policisë së Tiranës ndalimin dhe arrestimit e këtyre personave.

FSHF shkon edhe më tej duke deklaruar se do të publikojë në stadium fotot dhe videot e personave që ushtrojnë dhunë në mjediset sportive.

Tv Klan