Egjipti ka shpallur vendim për më shumë se 700 persona, për shkak të protestave të vitit 2013, pasi ish-presidenti i asaj kohe, Mohammed Morsi ishte larguar nga pushteti.

Gjykata ka konfirmuar dënimin me vdekje për 76 persona dhe dënim me burgim për 600 të tjerë, duke përfshirë liderët islamikë. Grupi për të Drejta të Njeriut, Amnesty International, e ka cilësuar gjykimin “të padrejtë” dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Egjiptit.

Dhuna pati shpërthyer në vitin 2013, në sheshin, Rabaa al-Adawiya të Kajros, duke lënë të vdekur qindra persona nga dhuna e forcave të sigurisë. Më herët gjatë këtij viti, parlamenti i Egjiptit u ka dhënë imunitet zyrtarëve ushtarakë për dhunën e përgjakshme dhe për të gjitha krimet e kryera nga korriku i vitit 2013 deri në janar të 2016-tës.

Ata që janë ndëshkuar në gjykimin masiv, janë akuzuar për çështje të lidhura me sigurinë, duke përfshirë vrasje dhe organizim të protestave joligjore. Të 75 dënimet me vdekje ishin shpallur fillimisht në muajin korrik dhe konfirmimi tyre dhe vendimeve tjera shënon fundin e këtij gjyqi të madh.

Në mesin e personave të dënuar me burgim të përjetshëm kanë qenë edhe anëtarë të mirënjohur të Vllazërisë Myslimane dhe politikanë tjerë, duke përfshirë njërin nga udhëheqësit, Mohammed Badie.

Qindra persona ishin arrestuar pasi ushtria egjiptiane dhe policia kishin shpërndarë personat pjesëmarrës në protestat pas largimit të Morsit nga pushteti. Human Rights Watch ka deklaruar se forcat e sigurisë së Egjiptit kanë vrarë të paktën 817 persona, çka mund të rezultojë me krime kundër njerëzimit.

Qeveria pati thënë se protestuesit kanë qenë të armatosur se policia ka vrarë 43 prej tyre. Që nga ajo kohë ky shtet ka shpallur Vllazërinë Myslimane si “organizatë terroriste”. /REL