Egnatia – Partizani do të hapë javën e 7 të Superligës. Është një sfidë direkte mes këtyre skuadrave për vendin e dytë të renditjes.

Të dy ekipet kanë barazuar në javën e gjashtë, por të kuqtë u përballën me rivalin e përjetshëm dhe barazimi në derbi është një rezultat mjaft i mirë. Pritet që në Rrogozhinë sfida të jetë shumë e luftuar.

“Thuajse të gjitha ndeshjet e ardhshme do të jenë derbi. Egnatia është një skuadër shumë e fortë. Këtë sezon çdo pikë është shumë e rëndësishme. Do të luajmë kundër një skuadre me shumë cilësi, lojtarët kanë shumë kohë që luajnë me njëri tjetrin, janë me vetëbesim, dhe kompaktë. Sigurisht kanë dhe automatizmat e tyre në lojë”, tha Aleksandër Veselinoviç, trajner i Partizanit.

Por trajneri serb i të kuqve kërkon më shumë punë nga skuadra për të qenë në nivelin e duhur

“Por çdo skuadër ka pikat e veta të dobëta. Jemi përgatitur për një ndeshje të fortë. Na duhet përqendrim gjatë gjithë kohës. Jam i sigurt që ne kemi më shumë potencial të bëjmë më mirë. Nëse analizojmë të gjitha detajet, skuadra nuk përgjigjet për të gjitha që kërkoj dhe për këtë na duhet më shumë punë”, tha trajneri.

Sfida do të luhet në Rrogozhinë në orën 16:00 të premten.

Tv Klan