Përballja me Egnatian konsiderohet si një derbi në radhët e Partizanit. Në daljen për shtyp para kësaj sfide, tekniku i “demave të kuq”, Aleksander Veselinovic pranoi se kategoria Superiore ka një nivel të lartë futbolli dhe javë pas jave shtohen vështirësitë për të fituar pikë në fushë.

“Tashmë po e ndjej që çdo ndeshje për mua është një derbi. Çdo ndeshje është shumë e rëndësishme. Çdo klub është serioz dhe i fortë dhe do të luftojmë për çdo pikë. Kemi përballë një kundërshtarë mjaft të vështirë, me mjaft kualitete dhe shumë kompetitiv. Është një skuadër e ndërtuar prej kohësh dhe kjo e ndihmon për të qënë kompakt dhe me sistem loje shumë të mire.”

Tekniku i Partizanit vlerësoi skuadrën rrogozhinase, e cila sipas tij ka cilësi të mëdha në përbërje.

“Çdo skuadër ka pikat e veta të dobëta. Jemi përgatitur për një ndeshje të fortë. Na duhet përqëndrim gjatë gjithë kohës. Jam i sigurtë që ne kemi potencial të bëjmë më mirë. Nëse analizojmë detajet, skuadra nuk përgjigjet për të gjithë atë që kërkoj dhe për këtë na duhet shumë punë.”

Në 10 takimet e fundit, bilanci flet në favor të rrogozhinasve, me 3 fitore kundrejt 2 të Partizanit, teksa 5 sfida kanë përfunduar në barazim.

Klan News