Shehi vlerëson kundërshtarët: Synojmë krijimin e distancave me rivalët

Tirana synon të harrojë humbjen ndaj Kukësit, teksa në javën e 20-të të Superligës përballet me Egnatian. Në transfertën ndaj rrogozhinasve, tekniku Orges Shehi kërkon vëmendjen e lojtarëve të tij për të konsoliduar pozitat në krye të renditjes.

“Mendoj që duhet të kemi ekuilibër dhe t’i analizojmë gjërat profesionalisht sepse në futboll ndodh gjithçka.”

Bardheblutë kanë fituar dy duelet e këtij sezoni, gjithsesi, Shehi i trembet cilësive të rrogozhinasve, të cilët nuk kanë shijuar pikë të plota prej 4 sfidash. 

“Egnatia ka një skuadër cilësore, një skuadër që jo më larg se këtë muaj është investuar me lojtarë cilësorë, merkatoja përforcon skuadrën. Është skuadër me ambicie të mëdha.”

Këtë të hënë luhet edhe dueli mes Partizanit e Laçit, me të kuqtë që numërojnë 3 pikë më pak se Tirana kryesuese.

Sfidat që kompletojnë javën e 20-të të Superligës janë ato mes Kastriotit e Erzenit, Teuta-Bylis dhe Vllaznia përballë Kukësit.

Klan News